Gashi kritikon lidershipin e LDK-së: Kërkon masa ndaj anëtarëve që dalin kundër partisë

Aktivisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, Nderim Gashi, ka reaguar ashpër ndaj disa anëtarëve të partisë që, sipas tij, po dalin kundër vijës politike të LDK-së dhe po bashkëpunojnë me kundërshtarët politikë për interesa personale.

Në një shkrim të publikuar, Gashi akuzon një pjesë të strukturave të LDK-së për afrim me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), veçanërisht në çështjen e përsëritjes së zgjedhjeve me postë nga diaspora. Ai i ka bërë thirrje lidershipit të LDK-së të ndërmarrë masa statutare kundër atyre që, sipas tij, po minojnë partinë me deklarata dhe veprime që nuk përputhen me interesat e saj.

“Nëse lidershipi i LDK-së nuk merr masa, atëherë bën shkelje të rëndë statutare dhe mbetet pa të ardhme politike,” ka shkruar Gashi duke paralajmëruar pasoja për të ardhmen e partisë nëse situata nuk adresohet.

Reagimi i tij ka nxitur diskutime brenda strukturave të LDK-së në Prizren, ku pritet të ketë lëvizje të reja në ditët në vijim. /Kosova.info/


Go to TOP