Gashi: Koha e armiqësive duhet të përfundojë – Kosova ka nevojë për vizionarë, jo përçarës

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar lidhur me situatën aktuale politike në vend duke theksuar se Kosova po përballet me një bllokadë institucionale dhe mungesë të qartësisë për formimin e qeverisë së re. Ai tha se, ndonëse ka mbetur vetëm edhe një javë afat në dispozicion të mandatarit për formimin e qeverisë, “as qeveri nuk po formohet, as zgjidhje për rreziqet buxhetore nuk po ofrohet.”

Sipas Gashit, pozicionet e palëve politike janë ngurtësuar duke e futur vendin në një ngërç të dëmshëm për stabilitetin ekonomik dhe institucional. Megjithatë, ai shprehu optimizëm se në horizont po shfaqet “një pjekuri e re politike” dhe “një gatishmëri për përgjegjësi e guxim për llogaridhënie” sinjal që, sipas tij, është më i miri që vendi mund të ketë në këtë moment.

“Zgjedhjet që po vijnë duhet të jenë garë për zgjidhje, jo për pushtet. Duhet të flasim për programe, jo për përçarje. Të debatojmë për zhvillim ekonomik, heqjen e sanksioneve dhe integrimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Gashi.

Ai shtoi se prioritetet e debatit publik dhe politik duhet të përqendrohen në drejtësi funksionale, arsim dhe shëndetësi cilësore, energji të qëndrueshme dhe ujë të pijshëm për qytetarët, si dhe në zhvillimin e ekonomisë vendore përmes politikave të qëndrueshme.

“Kosova ka nevojë për vizionarë, jo përçarës. Për udhëheqës që ndërtojnë, jo që bllokojnë. Për mendim konstruktiv, veprim efikas dhe vizion të qartë për shtetin dhe qytetarin”, ka shtuar ai.

Në përmbyllje të reagimit të tij, Gashi u bëri thirrje të gjitha forcave politike që të tejkalojnë armiqësitë dhe të punojnë bashkë për stabilitet dhe zhvillim:

“Koha e armiqësive duhet të përfundojë. Është momenti për bashkëpunim, reflektim dhe veprim – sepse vetëm kështu mund ta çojmë Kosovën përpara, me dinjitet, stabilitet dhe zhvillim të vërtetë. Na priftë e mbara.” /Kosova.info/

Go to TOP