Frutex: Rritje 225% e çmimit nga KESCO pas 1 qershorit

Shaqir Palushi, pronar i kompanisë Frutex, ka shpallur një ftesë publike për paraqitjen e ofertave nga të gjithë operatorët e licencuar për furnizim me energji elektrike. Kjo ftesë vjen si pasojë e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që obligon konsumatorët e mëdhenj të kalojnë në tregun e hapur të energjisë pas datës 1 qershor 2025.

Frutex ka kontaktuar operatorin aktual KESCO për të marrë një ofertë të re për furnizim me energji elektrike, por çmimi i propozuar rezulton të jetë 225% më i lartë sesa çmimi aktual. Në vitin 2024, kompania ka paguar rreth 421,000 euro, ndërsa për të njëjtën sasi të energjisë pas hyrjes në tregun e hapur, do të duhej të paguante rreth 1,370,000 euro.

“Kjo rritje e jashtëzakonshme e çmimit është e papërballueshme për industrinë prodhuese dhe rrezikon seriozisht vijueshmërinë e operimit,” thuhet në njoftimin e Frutex.

Të gjithë operatorët e interesuar për furnizim me energji elektrike ftohen të paraqesin ofertat e tyre apo të kërkojnë informacione shtesë në adresën zyrtare të kompanisë:

Email: [email protected]

Frutex mbetet e përkushtuar në sigurimin e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe konkurruese për furnizim me energji, në funksion të ruajtjes së qëndrueshmërisë së prodhimit dhe çmimeve për konsumatorët. /Kosova.info/


Go to TOP