Forumi Intelektual: Qeveria Kurti dhe Murati bllokojnë pagat e punëtorëve jetikë – një manifestim i papërgjegjshmërisë
Forumi Intelektual ka lëshuar një deklaratë të fortë ku kritikon ashpër Qeverinë e Kosovës dhe Ministrin e Financave, Hekuran Murati, për bllokimin e ekzekutimit të pagave për mjekët, arsimtarët, policët, zjarrfikësit dhe shërbyesit civilë.
Sipas Forumit, ky veprim përfaqëson një manifestim të dështimit institucional dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë aktuale, e cila ka lënë pa paga profesionistët më të rëndësishëm që mbajnë shoqërinë funksionale.
Deklarata kritikon ashpër qeverinë për mungesën e solidaritetit dhe përgjegjësisë duke kujtuar se as në kohët më të rënda nuk kishte ndodhur që punëtorët jetikë të mbeteshin pa paga.
Sipas Forumit, Qeveria Kurti erdhi në pushtet me premtime për mirëqenie dhe drejtësi sociale, por ka dështuar në mënyrë të thellë duke lënë në vështirësi ata që punojnë për shëndetin, edukimin dhe sigurinë e popullit.
“Ndërsa qeveria kënaqet me justifikime boshe, ata që sakrifikojnë për vendin janë lënë të luftojnë për mbijetesë pa asnjë mbështetje,” thuhet në deklaratë.
Forumi përfundon me një kritikë të hidhur: “Lavdi marrisë! Ky është edhe një absurd i qeverisë që pretendon të kujdeset për popullin.” /Kosova.info/