Kryeministri i ri i Japonisë Shigeru Ishiba njofton zgjedhje në 27 tetor
Shigeru Ishiba, kreu u partisë në pushtet në Japoni, ka në plan të thërrasë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në 27 tetor, pasi të zgjidhet në postin e kryeministrit të martën.
Zoti Ishiba u zgjodh në krye të Partisë Liberal Demokrate të premten dhe pritet të pasojë Fumio Kishidën në detyrën e kryeministrit, pasi koalicioni i partisë së tij ka shumicën në Parlament.
Ai e përmendi datën e zgjedhjeve, ndërsa njoftoi të hënën emrat e drejtuesve të lartë të partisë, përpara se sa të krijojë qeverinë e re.
Mbajtja e zgjedhjeve nuk është ende një vendim zyrtar, pasi ai nuk ka marrë detyrën e kryeministrit, por zoti Ishiba tha se e njoftoi datën për arsye logjistike ndaj institucioneve, që do të duhet të përfshihen në përgatitjen e zgjedhjeve në një periudhë relativisht të shkurtër.
Ai caktoi në krye të grupit të posaçëm për zgjedhjet ish ministrin e Mjedisit, Shinjiro Koizumi, i treti në hierarikinë e partisë.
Ai pritet të emërojë ekspertët në fushën e mbrojtjes dhe të besuarit e tij, Takeshi Iwaya dhe gjeneral Nakatani përkatësisht si ministër të Jashtëm dhe të Mbrojtjes.
Zoti Ishiba ka propozuar krijimin e një aleance aziatike të ngjashme me NATO-n dhe shtimin e diskutimeve mes partnerëve rajonalë për mbrojtjen bërthamore.
Ai ka sugjeruar një aleancë më të barabartë në fushën e sigurisë mes Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara, përfshirë menaxhimin e përbashkët të bazave amerikane në Japoni dhe vendosjen e bazave të Forcave Vetëmbrojtëse të Japonisë në Shtetet e Bashkuara.
Partia Liberal Demokrate ka qeverisur thuajse pa ndërprerje Japoninë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Anëtarët e partisë mund t’i kenë parë pikëpamjet më të moderuara të zotit Ishiba si vendimtare për të zmbrapsur opozitën me prirje liberale dhe për të fituar mbështetjen e votuesve, ndërsa partia është përfshirë nga skandalet e korrupsionit që çuan në rënie të mbështetjes së kryeministrit në largim Kishida.
Zoti Ishiba theksoi të premten se Japonia duhet të përforcojë sigurinë e saj, duke vënë në dukje shkeljet e fundit të hapësirës ajrore japoneze nga avionët luftarakë rusë dhe kinezë dhe lëshimet e raketave nga Koreja e Veriut.
Ai u zotua të vazhdojë politikat ekonomike të paraardhësit Kishida që synon uljen e çmimeve dhe rritjen reale të pagave, si dhe trajtimin e sfidave të tilla si rënia e nivelit të lindjeve dhe popullsisë.
Zoti Ishiba u zgjodh për herë të parë deputet në 1986 dhe ka mbajtur rolin e ministrit të Mbrojtes, të Bujqësisë dhe poste të tjera kyçe në qeveri. Ai ka qenë dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë Liberal Demokrate kur kryeministër ishte Shinzo Abe.