FMN dhe BQK thellojnë bashkëpunimin për analizën e rrezikut financiar
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, ka pritur misionin e Asistencës Teknike të Fondi Monetar Ndërkombëtar, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy institucioneve për avancimin e analizës së rrezikut sistemik dhe stres-testit financiar.
Sipas BQK-së, misioni i FMN-së fokusohet në përmbylljen e aktiviteteve të mbetura të asistencës teknike lidhur me analizën e rrezikut sistemik dhe stres-testin, si pjesë e aktiviteteve pasuese të diagnostikimit të Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar të Kosovës.
Ekipi i misionit përbëhet nga Dimitrios Laliotis, Dulani Seneviratne, Constantinos Kyriakopoulos dhe Jiri Panos, ndërsa vizita po zhvillohet nga 12 deri më 22 maj 2026.
Guvernatori Ismaili ka falënderuar FMN-në për mbështetjen e vazhdueshme ndaj BQK-së, duke riafirmuar përkushtimin për avancimin e kornizës së stabilitetit financiar dhe institucionalizimin e stres-testit si “një mjet kyç për monitorimin e rrezikut sistemik dhe komponent i integruar i analizës së stabilitetit financiar”.
Ai po ashtu theksoi rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve dhe transferimit të njohurive profesionale.
Sipas njoftimit, diskutimet janë fokusuar në kalibrimin e skenarëve makroekonomikë për stres-testim, zbatimin e ushtrimeve të stres-testimit të solvencës, avancimin e stres-testimit të likuiditetit dhe zhvillimin e mëtejshëm të analizës së likuiditetit në nivel të sistemit bankar.
Nga ana tjetër, ekspertët e FMN-së kanë vlerësuar bashkëpunimin konstruktiv të BQK-së, përkushtimin institucional dhe progresin e arritur në avancimin e analizës së rrezikut sistemik dhe stres-testit.
BQK bëri të ditur se projekti pritet të forcojë kapacitetet analitike të institucionit, të përmirësojë cilësinë e kornizës së stres-testimit dhe të mbështesë një qasje më të integruar në monitorimin e rreziqeve të solvencës dhe likuiditetit në sistemin bankar të Kosovës. /Kosova.info/
