Florim Zeqa shpall kandidaturën për Kryetar të LDK-së: Kthim te ADN-ja Rugoviane dhe ringritje e partisë

Florim Zeqa ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke iu drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Kryesisë Qendrore në Prishtinë, degëve dhe nëndegëve në Kosovë dhe Diasporë, si dhe elektoratit besnik Rugovian.
Në deklaratën e tij publike, Zeqa thekson se kandidatura vjen pa ambicie pushteti apo privilegji politik, por si rezultat i “dashurisë së pafundme për vendin” dhe dëshirës për ta rikthyer LDK-në në pozitën e partisë së parë politike në Kosovë. Ai shpreh shqetësimin për rënien e vazhdueshme elektorale të LDK-së dhe zhgënjimin e thellë të elektoratit të saj tradicional.
Duke iu referuar një veprimtarie 36-vjeçare në shërbim të LDK-së, Zeqa rikujton angazhimin e tij në vitet ’90 si nënkryetar i Degës së Forumit Rinor të LDK-së në Klinë, si dhe mbështetjen e pandërprerë të filozofisë politike të presidentit historik Ibrahim Rugova, edhe gjatë emigrimit. Ai shprehet i gatshëm të marrë përgjegjësinë e drejtimit të partisë më të vjetër në vend, me synim ringritjen dhe konsolidimin e saj.
“Kam dijen, guximin intelektual, aftësitë unifikuese dhe vullnetin për bashkëpunim me të gjithë ata që ia duan të mirën LDK-së”, deklaron Zeqa, duke u zotuar se do të punojë me nder dhe përkushtim për partinë dhe për qytetarët e Kosovës. Ai premton se, në rast të besimit, LDK-ja do të rikthehet në vendin e dytë që në zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme të këtij viti, ndërsa në zgjedhjet e rregullta parlamentare do të shndërrohet sërish në “Zonjën e skenës politike kosovare”.
Sipas tij, tani nuk është koha për të kërkuar fajtorë, por për lidership të ri, unitet veprues dhe një proces të brendshëm zgjedhor të rregullt e demokratik. “Kjo që ofroj nuk është as rrugë e re, as e vjetër, por kthim në ADN-në politike të LDK-së”, thekson Zeqa.
Biografi e shkurtër:
Florim Zeqa ka lindur më 30 gusht 1963 në Bokshiq të Klinës. Shkollën fillore e ka kryer në Grabanicë, të mesmen në Klinë, ndërsa studimet në Fakultetin Xehetaro-Metalurgjik në Mitrovicë. Në vitin 1982 është arrestuar nga forcat policore serbe, ndërsa nga fillimi i viteve ’90 është aktiv në LDK dhe në rezistencën qytetare kundër regjimit serb.
Ai ka kontribuar në mbrojtjen e arsimit shqip, ka punuar si mësimdhënës dhe ka qenë aktiv në organizimin e protestave dhe strukturave rezistuese lokale. Në emigrim, në Itali, ka vijuar veprimtarinë atdhetare dhe humanitare, duke organizuar ndihma për Kosovën, nisma qytetare dhe aktivitete kulturore e arsimore për mërgatën shqiptare.
Zeqa është i angazhuar edhe në gazetari, publicistikë dhe krijimtari letrare, me mbi 3 mijë shkrime autoriale dhe dhjetë libra të botuar. Në shtator të vitit 2024, ai ka qenë pjesë e themelimit të tri nëndegëve të LDK-së në Itali.
Kandidatura e tij për Kryetar të LDK-së vjen, siç shprehet vetë, si thirrje për bashkim, rikthim te vlerat Rugoviane dhe ringritje të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Go to TOP