Fjalët e mëdha, punët kurrkah!

Shkruan: Florim ZEQA

Të dëgjosh retorikën ditore të politikanëve dhe patriotizmin folklorik të qytetarëve, krijohet përshtypja se ne shqiptarët jemi të gatshëm jo vetëm ta çlirojmë veriun e vendit nga bandat kriminale serbe, por edhe t’i kthejmë territoret e aneksuara nga Serbia një shekull e gjysmë më parë!

Nuk jemi të zotët për asgjë

Mirëpo, kur i analizojmë veprimet tona në Kosovën e pasluftës, realiteti na e thotë të kundërtën! Ne, jo vetëm që nuk jemi të zotët për kthim territoresh, nuk jemi të zotët as për mbrojtjen e këtyre që i kemi në dorën tonë.

Pas gjithë atyre krimeve dhe masakrave serbe të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk do duhej që bashkatdhetarët të udhëtojnë më nëpër territorin e Serbisë, nuk do duhej që asnjë produkt serb të hyjë në Kosovë dhe asnjë lider partiakë të mos bashkëpunojë me politikanët serb në parlament dhe jashtë tij!

Pra, për të qenë patriot, fillimisht duhet të bojkotohet territori i shtetit armik, pra territori i Serbisë nga mërgimtarët dhe biznesmenët, pastaj edhe produktet e saj që ilegalisht mund të hynin në Kosovë. Por siç duket, “patriotizmi” ynë nuk është i gatshëm për njërën dhe as për tjetrën!

Patriotizëm kombëtar, pastaj ekonomik dhe politik

Sikur të kishte ndodhur e kundërta, sikur ne shqiptarët të kishim kryer krime ndaj popullatës serbe gjatë luftës në Kosovë, asnjë shqiptari nga Kosova dhe trojet etnike nuk do t’i lejohej hyrja në territorin e Serbisë!

Këtë që e them dëshirojë ta ilustrojë me një shembull fare të thjesht dhe analogjik me luftën dhe krimet e kryera të Serbisë në Kosovë; “Gjatë periudhës së Jugosllavisë Titoiste, përkatësisht në qytetin e Kragujevcit (Serbi), deri në shpërbërjen e shtetit jugosllav, të gjitha makinat me targa nga qytetet e Gjermanisë e kanë pasur të ndaluar hyrjen në qytetin e Kragujevcit, si ndëshkim për krimin e kryer në këtë qytet nga Gjermania Naziste ndaj popullatës civile (2.264), ku vetëm në disa shkolla fillore dhe të mesme të këtij qyteti, kishin mbetur të vrarë rreth 300 nxënës.

Kurse ne, asnjë ndalesë për serbët dhe në asnjë vend edhe përkundër masakrave në çdo cep të Kosovës! Ndodhi kështu, sepse ne, nuk ishim dhe as nuk jemi në gjendje ta kufizojmë vetën tonë nga udhëtimet nëpër Serbi dhe as ta ndalojmë këtë të fundit të udhëtojë lirshëm sikurse në territorin e saj!

Faji nuk është jetim, ka emër dhe mbiemër

Jo me të padrejtë gishtin e drejtojmë çdo herë nga politikanët, por jo çdo herë dhe për gjithçka është faji i tyre! Fajtorë jemi të gjithë, kush më pak, e kush tjetër më shumë, që nuk bëmë asgjë për ta kundërshtuar invazionin politik dhe ekonomik të Serbisë në Kosovë!

Një popullatë e tërë jemi fajtorë, që nuk sakrifikuam asgjë nga vetja jonë për ta bojkotuar Serbinë, fillimisht me udhëtimet nëpër territorin e saj, pastaj me produktet ushqimore, ndërtimore, medicinale e gjithçka tjetër që vjen nga Serbia në Kosovë!

Kënaqemi duke pritur nga 10-15 orë në hyrje-daljet kufitare me Serbinë për t’i kursyer më pak se 200 km rrugë në drejtimet e tjera. Ky është fillimi dhe fundi i patriotizmit tonë folklorik!

Për këtë temë mund të shkruaj edhe libër, por kësaj radhe po ndalem me kaq!

Janë këto dhe shumë arsye të tjera politike që po e pamundësojnë fitoren diplomatike ndaj shtetit të Serbisë në dialogun e Brukselit! Sikur situata të ishte ndryshe, Serbia do të kërkonte konsensus dhe zgjidhje të shpejtë të problemit me Kosovën. Por, pse ta bëjë këtë, kur shumica e shqiptarëve e kanë harruar luftën, i kanë harruar krimet dhe vuajtjet shekullore të shkaktuara nga Serbia gjakatare! Ne i kemi fjalët e mëdha e punët kurrkah!

Go to TOP