Mos e humbni trenin e fundit për shpëtim?!
Shkruan: Florim ZEQA
Pas shpalljes së kandidaturës sime për kryetar të LDK-së, me të drejtë familjarët e mi dhe miqtë e ngushtë kanë filluar të shqetësohen për fatin tim, shkaku i kërcënimeve dhe shantazheve që më vijnë nga individë të caktuar, të cilët për qëllim e kanë ndalimin e misionit tim fisnik!
Pa dashuri nuk bëhen punët e mira për vendin
Siç më njohin lexuesit e rregullt dhe elektorati i LDK-së, unë në shkrimet e mia flas me gjuhën e zemrës. Asnjëherë nuk udhëhiqem nga mëria apo inatet personale, por nga dashuria që kam ndaj atdheut tim të shenjtë – Kosovës dhe bashkëkombësve në Kosovë dhe në mërgatën tonë.
Unë asnjëherë deri më sot nuk e kam mbështetur keqqeverisjen e vendit, pavarësisht kush ka qenë në pushtet, sikurse që nuk i kam mbështetur pazaret e pista politike për interesa personale, të kujtdo qofshin ato.
Si rezultat i kastës së dështuar politike, LDK-ja ka rrëshqitur në vendin e tretë dhe me tendencë të rënies edhe më poshtë se kaq!
Në ndërkohë, elektorati i saj po lëviz pandalshëm drejt partive të tjera, kurse qytetarët e vendit dita-ditës janë duke e braktisur vendin, jo shkaku i dhunës dhe represionit të pushtuesve serbë, por shkaku i keqqeverisjeve të njëpasnjëshme!
Ashtu siç e ceka në fillim të këtij shkrimi, nuk kam asgjë personale me kryetarin aktual dhe as me drejtuesit e partisë, qofshin ata deputetë, asamblistë apo kryetarë komunash, por problemin e kam me keqmenaxhimin e partisë!
Trajtimi i partisë si pronë private e ka sjellë LDK-në në këtë gjendje mjeruese dhe konfliktuoze, shkaku i luftës së ashpër në mes të klaneve dhe grupeve të interesit për marrjen e primatit të “Rugovizmit” në parti!
Klanorët antipodë të LDK-së rugoviane
Përderisa dashuria dhe dhimbja janë në të njëjtët binarë, krenaria dhe zhgënjimi mbajnë të njëjtën rrugë!
Dhimbja dhe zhgënjimi më bëjnë akoma më të fortë dhe më të qëndrueshëm në rrugëtimin tim dhe në përballje me sfidat e kohës!
Iluzionistët e ringjalljes së LDK-së përmes klaneve dhe grupeve të interesit do të mashtrohen keq, ashtu siç u zhgënjyen nga “Rruga e Re” dhe nga “Bashkimi i të djathtës shqiptare”!
Drejtuesit e LDK-së post-rugoviane, për dy dekada rresht, nuk i sollën asnjë fitore LDK-së në zgjedhjet parlamentare!
Vërtet, nëntë palë zgjedhje të humbura rresht nuk janë pak; e dhjeta do të jetë e tepërt…!
Klanorët po mundohen t’ia shesin “sapunin për djathë” elektoratit përmes të ashtuquajturit “Kuvend i Jashtëzakonshëm Zgjedhor”, të cilat do të jenë mashtrime të kriposura plot hipokrizi, siç ishte “dorëheqja” e Abdixhikut pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar!
Klanorët garën e ndershme dhe demokratike e kanë kthyer në maskaradë zgjedhore brenda partisë!
Votën e lirë e kanë kthyer në aklamacion, kurse rivalitetin politik e kanë kthyer në luftë klasash brenda partisë!
Degradimi e arriti kulmin kur dorëheqja e kryetarit humbës të zgjedhjeve u kthye në “votëbesim” (uzurpim të partisë)!
Vetëm vendimmarrja te elektorati, përmes referendumit, mund ta nxjerrë liderin unifikues të partisë, kurse maskaradat zgjedhore do ta përcaktojnë fundin e LDK-së!
Dikur rugovizmi ishte krenari dhe sfidë njëkohësisht, sot është bërë spot politik pa pagesë dhe biznes në të njëjtën kohë!
LDK-ja e sotme, nën tutelën e klaneve dhe grupeve të interesit, jo vetëm që nuk ka gjë të përbashkët me të kaluarën e saj, por është kthyer në antipod të LDK-së rugoviane!
Antirugovistët e mbështjellë me flamur dardan e kanë bërë të neveritshëm rugovizmin në LDK!
Treni i fundit për shpëtim
Cilido kandidat që zgjidhet kryetar i LDK-së përmes referendumit do të jetë i pranueshëm për të gjithë dhe i suksesshëm në ringritjen e partisë.
Nëse elektorati më ngarkon me besim për drejtimin e LDK-së, unë do ta shpërblej me ringritje në vendin e dytë pas zgjedhjeve të dhjetorit, kurse në zonjën e skenës politike kosovare dhe mbretëreshën e qeverisjes së vendit pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare!
I tillë do të mbetem, përherë ushtar besnik i atdheut dhe gardian i interesave të bashkëkombësve të mi dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.
Unë, biri yt, që lutem e punoj ditë e natë për ty, Kosovë, edhe përkundër kërcënimeve dhe shantazheve, nuk do të ndalem për asnjë çast së punuari dhe vepruari për të mirën e vendit dhe qytetarëve të vendit tim, për t’i dalë zot shtetit dhe interesave të qytetarëve dhe bashkatdhetarëve në mërgim.
Për këtë e kam dijen, dëshirën, vullnetin, vendosmërinë dhe guximin për reformimin e thellë të LDK-së pa asnjë ambicie personale, me forcën dhe qëllimin hyjnor, me besim në Zot dhe në elektorat për ringritjen e LDK-së. Përveç çelësit në dorën time, unë jam treni i fundit për shpëtimin e LDK-së nga katandisja në humnerën e pakthim.
I bëj thirrje nga shpirti elektoratit të LDK-së: Mos e humbni trenin e fundit për shpëtim!
Nëse krerët e LDK-së nuk hapin rrugë dhe nuk e pranojnë ofertën e shpëtimit, do të ballafaqohen me ndëshkimin e elektoratit në zgjedhjet e dimrit të këtij viti, i cili për LDK-në do të jetë dimri më i acartë në historikun 38-vjeçar të saj!
Megjithatë, unë, me ndihmën e qytetarëve, do ta gjej mënyrën dhe rrugën e veprimit, do ta gjej alternativën e veprimit politik për ta bërë ndryshimin epokal dhe kthimin e shpresës së qytetarëve për jetë në vendin më të bukur në botë – Dardaninë tonë antike.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!
Zoti i bekoftë qytetarët e vendit tim!
