Finlanda konfiskon 865 vagonë mallrash të firmave ruse
Finlanda konfiskon rreth 900 vagonë mallrash që u përkasin kompanive ruse. Kurse NATO nis procesin e ratifikimit për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.
Në përgjigje të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë Finlanda konfiskoi 865 vagonë mallrash që u përkasin kompanive ruse. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters Shoqëria Shtetërore Hekurudhore Finlandeze VR i dërgoi një letër përkatëse Shoqërisë Shtetërore të Hekurudhave Ruse.
Letra drejtuar Ministrisë së Transportit të Rusisë, mban datën 6 qershor. Shoqëria Shtetërore Hekurudhore Finlandeze VR konfirmoi se vagonët e konfiskuar u përkasin kompanive ruse të prekura nga sanksionet e BE-së qoftë drejtpërdrejt ose nëpërmjet aksionerëve, kurse autoritetet ruse nuk pranuan ta komentojnë lajmin, raporton dw.
Nis procesi i ratifikimit për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë
Ambasadorët e 30 vendeve të NATO-s kanë nisur ndërkohë procesin e ratifikimit për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në aleancë.
“Nënshkrimi i protokolleve të anëtarësimit nis procesin e ratifikimit në secilin prej vendeve anëtare”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në maj Finlanda dhe Suedia hoqën dorë nga neutraliteti i tyre tradicional ushtarak pas sulmit rus në Ukrainë dhe bënë kërkesë për anëtarësim në NATO.
Comments