Fetoshi: Serbia po rikthen narrativën e Millosheviqit

Profesori i Universitetit të Prishtinës dhe drejtori i “Institutit Oktopus”, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se Serbia e Aleksandër Vuçiqit po e rikthen retorikën e viteve ‘90, duke e ndërtuar diskursin politik mbi narrativën e “viktimës serbe”.

Sipas Fetoshit, përmes projektit të “Botës Serbe”, Beogradi po ndjek një qasje të re informative, duke përdorur “strategji manipulimi, shpifje të koordinuara dhe teknika propagandistike”, të ngjashme me modelin rus të ndërhyrjeve në Gjeorgji dhe Ukrainë.

“Gjithnjë e më qartë po përballemi me rrezikun e déjà vu-së së historisë: Serbia e Vuçiqit e ka rikthyer narrativën e Millosheviqit për ‘viktimizimin’ e serbëve”, shkruan Fetoshi, duke shtuar se në Bosnjë e përdor etno-nacionalizmin e Dodikut, ndërsa në Mal të Zi ideologjinë fetare përmes Kishës Ortodokse Serbe.

Ai përmend edhe përvjetorin e afërt të “Vidovdanit”, duke e lidhur me retorikën shoviniste që po përhapet në mediat dhe rrjetet sociale. Sipas tij, mesazhet për “rrezikimin e serbëve” në Kosovë janë të pabazuara dhe synojnë “demonizimin e institucioneve të Kosovës dhe thellimin e ndarjes etnike”.

Fetoshi thekson se Serbia nuk po e pranon realitetin e Kosovës së pavarur dhe po e vazhdon strategjinë e saj përmes diplomacisë publike dhe strukturave paralele. “Vullneti për paqe kërkon dëshmi konkrete, jo shpifje dhe fushata emocionale”, shkruan ai.

Ai e cilëson projektin e “Botës Serbe” si “doktrinë të jashtme të Serbisë” që, sipas tij, rrezikon stabilitetin rajonal dhe integritetin e shteteve fqinje.


Go to TOP