Fermerët kërkojnë lehtësim të procedurave për grante dhe subvencione

Përkrahja për prodhuesit e qumështit është rritur, megjithatë mbesin shumë sfida sidomos sa i përket subvencioneve. Kështu u tha në Konferencën e parë të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit (ShPQK) dhe me mbështetjen e organizatës “We Effect” e cila u përqendrua në zhvillimet aktuale, sfidat, mundësitë në sektorin e prodhimit të qumështit duke përfshirë aspektet e prodhimit në këtë fushë.

Në këtë konferencë u tha se ka përmirësime në organizimin e këtij sektori pas formimit të ShPQK-së dhe ndryshimet thelbësore kanë ndodhur. Në këtë konferencë e cila mblodhi ekspertë dhe personalitete të shquara nga sektori, u përqendrua në shqetësimet e fermerëve dhe sfidat he në të cilat ballafaqohet ky sektor i rëndësishëm.

Në një fjalim hyrës Sekretari i bordit ekzekutiv të Prodhuesve të Qumështit të Kosovë, Remzi Mehmeti, u ndal në gjendjen aktuale dhe perspektiva e zhvillimit të sektorit të prodhimit të qumështit.

“Ne synomë të jemi pjesë e zhvillimit dhe përparimit që sjellë vlera e prodhimit deri tek konsumatorët”, tha ai.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, tha se përkrahja për përpunuesit e qumështit është rritur.

Vetëm gjatë vitit 2023, përmes Programit për Pagesa Direkte 2023, Peci ka deklaruar se shifra e përkrahjes financiare për fermerët që kanë mbi 5 krerë lopë është rreth 4.6 milionë euro.

Në konferencën e organizuar nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (ShPQK), Peci u shpreh se këtë vit në Kosovë janë rreth 5200 fermerë me mbi pesë lopë qumështore si dhe 1355 fermerë të bagëtive të imta me mbi 30 krerë.

Ministri Peci ka përmendur një fermer që së fundmi e ka vizituar e që sipas tij falë përkrahjes nga Qeveria, ka arritur t’i zgjerojë kapacitetet prodhuese. Tha se deri në pesë mijë litra qumësht është kapaciteti i pranimit ditor që e prodhon ky fermer.

“Ne kemi ndërmarrë një numër të konsiderueshëm të veprimeve që qojnë në drejtim të qartësisë në aspektin e avancimit të legjislacionit, politikave e strategjive por njëkohësisht edhe planit kombëtar për bujqësi, zhvillim rural 2023-2027, e ku fokus të zhvillimit dhe riorientimit të përkrahjes financiare e ka rritjen e prodhimit primar. Gjatë vizitave të mia në terren dhe takimeve me fermerë, pata rastin që të shoh nga afër nevojën dhe sfidat por së fundmi të dëgjoj edhe historitë e suksesit të cilat janë bërë realitet falë mbështetjes institucionale dhe rritjes së përkrahjes që këtë rast Qeveria e Kosovës ka ofruar posaçërisht dy vitet e fundit”.

“Të hënën u njoha me Taulantin nga Grabovci i Pejës, një fermer i vyer e punëtor i cili më priti së bashku me dhjetëra fermerë të rajonit të Pejës me të cilët ai bashkëpunon. Deri në pesë mijë litra qumësht është kapaciteti i pranimit ditor, gjë që e bën të mundur falë përkrahjes së Grantit të ofruar nga Programi për Zhvillim Rural 2022”, u shpreh Peci.

Teksa ka përmendur shifrat e përkrahjes që Qeveria i jep për fermerët, Peci tha se afër 500 fermerë kanë përfituar nga Programi gjatë vitit 2022 dhe 2023.

“Nuk është vetëm Taulanti histori suksesi, ai është vetëm njëri nga fermerët në mesin e 490 fermerëve që kanë përfituar nga programi gjatë vitit 2022 e që janë implementuar gjatë vitit 2023. Me një numër të lartë të fermerëve dhe me një kontribut të madh në bruto-produktin vendor, sektori i qumështit ka ndikim edhe në fushat tjera të agro-përpunimit por edhe sektorë tjerë që i afekton direkt por edhe indirekt”.

“Në bazë të të dhënave dhe statistikave, Kosova ka në vitin 2023, ka rreth 5200 fermerë me mbi pesë lopë qumështore si dhe 1355 fermerë të bagëtive të imta me mbi 30 krerë. Përmes Programit për pagesa direkte 2023, rreth 4.6 milionë euro është shifra e përkrahjes financiare për fermerët që kanë mbi 5 krerë lopë, me një shifër të përafërt rreth 52 mijë gjithsej”, tha Peci.

E kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se vitin e ardhshëm do të arrijnë një bashkëpunim me Odën Ekonomike të Holandës, për përkrahjes e përpunuesve të qumështit.

“I vetëdijshëm për sfidat që i keni pasur dhe që i keni në avancimin e prodhimit të juaja, mirëpo në anën tjetër jemi shumë të lumtur dhe të gëzuar që keni arrit të keni një prodhim shumë kualitativ që jeni konkurrent me produktet që janë me shumë vite jo vetëm në tregun tonë por në tregjet rajonale e evropiane”.

“Oda Ekonomike si gjithmonë por edhe do të vazhdojë që të bashkëpunojë me juve dhe ne e kemi një projekt që bashkë me Odën Ekonomike të Holandës në Ministrinë e Bujqësisë së Holandës, do të aplikojmë për projekte që do të jenë sa më afër bujqve por këtë rast edhe prodhuesve të qumështit dhe besoj që në pranverën e vitit të ardhshëm, ajo do të konkretizohet dhe shoqata do të jetë pjesë e implementimit”, tha Rafuna.

Vasko Padievski në prezantimin dhe përkrahjen e këtij projekti u ndal tek rëndësia e mbështetjes së prodhimit të bujqësisë sidomos tek brezat e rinj.

“Kosova duhet ta rregullojë infrastrukturën. Dhe duhet angazhim i madh, edhe pse është bërë mjaft në subvencionime në këtë sektor. Është me rëndësi të ruhet ritimi”, tha ai duke sjellë disa përvoja të tij nga vizita në ShBA ku për nxitjen e zhvillimit të sektorit të blegtorisë organizoheshin edhe zgjedhja e mis lopës.

Arben Musliu profesor i asocuar në UP fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, prezantoi një kronologji të sektorit të prodhimit të qumështit në Kosovë nga viti 2005 deri më 2022. Ai e quajti të rëndësishme periudhën e vendosjes së standardeve në vitin 2007 për e ngritjen e cilësisë së qumështit si për tregun e brendshëm, për tregun rajonal dhe atë të BE.

“Kjo ka ndikuar ë përmirësohet gjendja e shëndetit të kafshëve dhe cilësisë së qumështit”, tha ai.

Gjendja aktuale sipas tij ka ende sfida të mëdha sidomos nëse merret parasysh zvogëlimi i numrit të lopëve

“Nga viti 2021 numri i lopëve qumështore është duke u zvogëluar, ku 1.4 për qind është më i vogël se në vitin paraprak. Kemi një bilanc tregtar negativ për afër 32 milion euro në vit. Sipas ASK kemi një prodhim prej 342 milionë litra qumësht dhe nëse përpjesëtojmë me numrin e krerëve të bagëtive është shumë i ulët dhe rendimenti është vetëm 2.6 litra. Në krahasim me BE trefish me i vogël”, tha ai.

Sipas tij e rëndësishme është që ShPQK të ardhmen të ketë një objekt të vetin dhe të bëjë edhe testimin ushqimit të kafshëve dhe të vazhdojë me avokimin për menaxhimin e zhvillimit të fermave në Kosovë.

Ndërkaq Sabah Cena doktor i assocuar dhe konsulent i pavarur për prodhimin e kafshëve dhe zhvillimin agrobiznesit për sektorin e prodhimit të qumështit në Shqipëri, e konsideroi si shumë të rëndësishme pavarësimin e ShPQK si një institucion që merret me kontrollin dhe zhvillimin e prodhimit të qumështit. Kjo sidomos nëse bëhet një krahasim me Shqipërinë e cila pothuaj nuk ka asnjë shoqatë në vepër.

“Deri në vitin 2000 kur kanë funksionuar projektet e donatorëve kanë qenë 25 shoqata nga të gjitha sektorët e ndryshëm deri në prodhuesit e shelgjeve por me ikjen e donatorëve nuk ka mbetur asnjë shoqatë. Rëndësia e shoqatave që është e padiskutueshme është jetike për sektorin. Interesimi i zhvillimit të bujqësisë sidomos blegtorisë tek të rinjtë është në rënie.

Një sektor që po mbijeton në saje të rastësisë në mungesë të strategjisë dhe shpopullimit të pjesës rurale. Nëse deri në vitin 2000 numri gjedheve ka qenë 700 mijë tashmë ka vetëm 260 mijë krerë gjedhë që nënkupton trefish më pak. Po kaq kemi krerë lopësh. Ka rënë numri i krerëve, por u shtua numri i prodhimi për krerë. Sot marrim 300 litra për një krerë lope, ndonëse në bazë të kushteve gjenetike dhe natyrore është dashur të arrijë në 4.500 litra”, tha ai.

Konferenca u përmbyll me disa rekomandime që kanë të bëjnë me ndryshimin e kritereve të subvencionimit sidomos sa i përket çështjeve pronësore, nevojës për një bashkëpunim më të mirë të Ministrisë së Bujqësisë me fermerët. /Kosova.info/

Go to TOP