FBV e UP-së fiton 500 mijë euro grant për ndërtimin e qumështores didaktike

Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë ka siguruar një grant prej 500 mijë eurosh nga Fondi Rajonal i Sfidave për ndërtimin e një qumështoreje didaktike, investim që do të forcojë ndjeshëm lidhjen mes mësimit teorik dhe praktikës profesionale për studentët.

Projekti është fituar në kuadër të thirrjes së katërt për propozime (RCF 4) dhe konsiderohet një ndër iniciativat më strategjike për avancimin e infrastrukturës akademike në Universiteti i Prishtinës.

Qumështorja didaktike do të shërbejë për përpunimin e produkteve të qumështit dhe do të krijojë kushte moderne për zhvillimin e ushtrimeve praktike në teknologjinë ushqimore, mjekësinë veterinare dhe drejtime të tjera të fakultetit. Përmes këtij investimi, studentët do të kenë mundësi të ndërlidhin njohuritë teorike me praktikën reale, duke rritur kompetencat dhe gatishmërinë e tyre për tregun e punës.

Projekti pritet gjithashtu të forcojë bashkëpunimin me sektorin agroushqimor dhe industrinë e përpunimit të qumështit, duke hapur rrugë për partneritete të reja, praktika profesionale dhe zhvillim të projekteve të përbashkëta.

Ndërkaq, FBV-ja ka një histori të suksesshme në përfitimin e projekteve ndërkombëtare. Prej dhjetë vitesh, fakulteti zbaton projekte për luftimin e viruseve në kuadër të Programit të Biosigurisë të Ministrisë Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë, si dhe ka qenë i përfshirë në aktivitete në kampin ushtarak Camp Bondsteel.

Fakulteti ka përfituar edhe projekte në kuadër të programit Erasmus+ për reformimin e kurrikulës së mjekësisë veterinare sipas standardeve të Bashkimit Evropian, si dhe investime nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe organizata SKAT për ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse.


Go to TOP