Faza përgatitore dhe fara cilësore, hapat kyçë për mbjelljet pranverore
Fermerë, distributorë dhe profesionistë të fushës së bujqësisë nga vendi dhe shtetet mike të Kosovës, në prag të sezonit pranveror të mbjelljes së kulturave bujqësore, janë takuar në një seminar për të bashkëbiseduar rreth aplikimit të inputeve për mbjelljet pranverore.
“Bashkëpunimi me fermerët dhe distributorët nga viti në vit tregon që po rritet. Është i nevojshëm dhe përditë e më shumë, sikurse në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian që synojnë kualitetin e, që besoj se edhe Kosova do të jetë anëtare, kjo është ajo që do t’ua propozonim gjithë konsumatorëve në Kosovë: të kenë kujdes për cilësinë dhe kualitetin”, tha Zvonimir Zdunic, drejtori i Institutit bujqësor në Osijek.
“Fara është faktor dominues që përcakton prodhimin dhe po qe se për mbjellje përdorim farë cilësore të atestuar me veçori të mira, qoftë të aftësisë së lartë mbirëse dhe parametra të tjerë cilësorë, atëherë prodhimin mund ta kemi për 50% më të lartë në raport me përdorimin e farës jo cilësore. Pra, në të tilla takime me agronomë, me kolegë, me specialistë, me fermerë, është kënaqësi e veçantë që t’u paraprijmë mbjelljeve pranverore në përgjithësi e misrit në veçanti”, tha Imer Rusinovci, ekspert i bujqësisë.
“Secili prodhim serioz fillon me farë. Ajo që e kemi krijuar ne disa vitet e fundit është se e kemi stabilizuar prodhimin dhe përpunimin e farës cilësore, e cila depërton në treg, përmes së cilës prodhuesit mund të kenë prodhim të hershëm cilësor”, tha Andria Lukiç nga Instituti Bujqësor i Osijekut.
“Fati ynë është që ka ndryshuar edhe orientimi i fermerëve tanë, që të gjithë po i zgjedhin varietetet e reja më adekuate, që kanë rezistencë më të lartë ndaj sëmundjeve e thatësisë, por edhe rendiment më të lartë, kështu që besoj që ia kemi arritur rezultatit”, tha Hasan Abazi.
Bashkëpunimi i profesionistëve të fushës konsiderohet gjysma e suksesit, falë edhe kushteve atmosferike, ndërsa përkushtimi për punë rrit punësimin, prodhimin, cilësinë dhe njëherësh ul shifrat e importit, vlerësojnë profesionistët e fushës së bujqësisë.
