Fitore shumë e rëndësishme e Trepçës në “Minatori”

Trepça ka shënuar njërën prej fitoreve më të rëndësishme të këtij edicioni në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Të dielën mbrëma në palestrën “Minatori”, në kuadër të xhiros së 23-të, “xehetarët” fituan 37:36 ndaj Vëllaznimit të Gjakovës.

Në pjesën e parë vendasit u shkëputën deri në katër gola. Gjakovarët megjithatë u kthyen në pjesën e dytë dhe katër minuta para fundit udhëhoqën 36:33. Por më pas mitrovicasit i realizuan katër gola dhe nuk pranuan asnjë për fitoren 37:36.

Sali Maxhera udhëhoqi Trepçën me nëntë gola. Tetë i shënoi Eris Beqiri, kurse nga gjashtë i shtuan Ermir Januzi e Butrint Miftari.

Matheus Henrique ishte më efikasi te Vëllaznimi me tetë gola. Shtatë i realizoi Ardi Halili, kurse nga gjashtë Çlirim Rama e Florian Rexha.

Me fitore Trepça u stabilizua në pozitën e gjashtë me 16 pikë dhe thuajse e ka të sigurt shmangien e plejautit.

Vëllaznimi është i katërti me 20 pikë. /Kosova.info/

Go to TOP