Escobar dhe Lajçak presin propozim konkret për targat dhe dokumentet serbe

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, thanë se takimet që po realizojnë në Prishtinë, janë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës më 1 shtator.

Pas takimit me krerët institucionalë të Kosovës, Escobar tha se pret që Kosova dhe Serbia të kenë një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së targave dhe dokumenteve serbe.

“Të dy palët na kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim dhe dhunë më 1 shtator. Tani ne jemi këtu që të sigurohemi që ky vullnet i shprehur dhe i gjithë optimizmi të përkthehet në një propozim konkret”, tha Escobar për mediat, pas takimeve që zhvilloi në Presidencë dhe Kryeministri të Kosovës.

Escobar përsëriti se mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, por edhe Kosovën e Serbinë për të gjetur zgjidhje, siç tha ai, “për këto çështje të vështira”.

“Detajet se si shkohet përpara i përkasin dialogut, por unë desha të sigurohem që njerëzit ta kuptojnë se vizioni im është të tregoj mbështetje të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Escobar.

Ndërkaq, Lajçak tha se ka pasur takime të mira dhe të detajuara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ai tha se këto takime po bëhen për të parandaluar që të përsëriten tensionet, sikurse më 31 korrik.

“Mesazhi më i rëndësishëm është se jemi këtu me Gabriel Escobarin pikë së pari për të treguar se uniteti midis BE-së dhe SHBA-së është i plotë dhe nuk mund të jetë më i mirë. Ne po punojmë së bashku sa i përket normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe së dyti, komuniteti ndërkombëtar është shumë i shqetësuar lidhur me atë që pamë në terren më 31 korrik. Dhe pritet nga ne së bashku, ne si negociatorë dhe nga liderët e Kosovës dhe Serbisë që të mos lejojmë që kjo të përsëritet më 31 gusht dhe prandaj jemi këtu”, tha Lajçak.

Gjatë 24 gushtit, Escobar dhe Lajçak do të takohen edhe me liderët e partive opozitare në Kosovës.

Ndërkaq, përmes një postimi për media, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Prishtina asnjëherë nuk ka kontribuar në rritjen e tensioneve.

“Kosova asnjëherë nuk ka kontribuar në tensione dhe është angazhuar vazhdimisht për paqe dhe stabilitet si dhe për zgjidhje evropiane. Vendi ynë është i ndërtuar mbi parimin e një shoqërie multietnike ku të gjithë kanë të drejta të barabarta, pa dallim etnie”, shkroi Osmani në Facebook pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun.

Dy zyrtarët perëndimorë do të takohen edhe me liderët opozitarë të Kosovës. Qëllimi i vizitës së tyre është që të bindin palët të arrijnë një zgjidhje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, që rritën tensionet midis Kosovës dhe Serbisë.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë në Prishtinë për targat dhe dokumentet serbe.
Pas heqjes së barrikadave pasditen e 1 gushtit, Qeveria shtyu zbatimin e vendimeve për 1 shtator.

Vendimi për targat kërkon që të gjitha makinat me targa të lëshuara nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës, të riregjistrohen në RKS – Republika e Kosovës.

Ndërkaq, vendimi për dokumentet kërkon lëshimin e një dokumenti për hyrje/dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në Kosovë. Një dokument të tillë Serbia e lëshon për shtetasit e Kosovës që 11 vjet.

Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje gjatë rundit të dialogut më 18 gusht, por BE-ja tha se bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë, me qëllim që të arrihet një ujdi para 1 shtatorit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dëshiron që të arrihet një zgjidhje kompromisi, ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje/dalje, nëse edhe Beogradi vepron njëjtë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 24 gusht se në takimin e 18 gushtit në Bruksel, kishte qenë BE-ja që kishte ofruar propozime për çështjen e targave dhe dokumenteve, e jo Serbia, siç kishte thënë më herët presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit ka pretenduar se të gjitha propozimet serbe janë refuzuar nga Kurti.

Go to TOP