“Elektroseveri” thotë se sot fillon faturimin në katër komunat në veri

“Elektroseveri” ka bërë të ditur se nga sot do të fillon me shpërndarjen e faturave të energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.

Qytetarët e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Zubin-Potokut do të marrin fatura paushall prej 21.60 euro. Sipas njoftimit, bashkë me atë faturë, përdoruesit do të pajisen me një kopje të kontratës për inspektim, si dhe një njoftim për furnizuesin “Elektrosever”.

“Me pagesën e një shume prej 21.60 euro, Marrëveshja e Furnizimit me kompaninë ‘Elektrosever’ do të konsiderohet e lidhur. Zyrtarët e ‘Elektroseverit’ do t’ua sjellin qytetarëve për nënshkrim marrëveshjet për furnizimin me energji elektrike”, thuhet në njoftim.

Kontrata mes KEDS-it dhe “Elektroseverit” u nënshkrua në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Kosova dhe Serbia, marrëveshje për energjinë kanë arritur më 2013 dhe 2015, por të cilat nuk janë zbatuar. /Kosova.info/

Go to TOP