EC Ma Ndryshe: Ndryshimet në veprat artistike publike të bëhen me transparencë dhe respekt për autorët
Organizata EC Ma Ndryshe ka reaguar lidhur me trajtimin e veprave artistike në hapësirat publike duke theksuar se çdo transformim apo modifikim i tyre duhet të realizohet në mënyrë transparente, me respekt ndaj autorëve dhe me sqarime të qarta për publikun.
Sipas reagimit, organizata vlerëson se institucionet kompetente duhet të kontribuojnë në krijimin e standardeve më të qarta për trajtimin e veprave artistike në hapësirat publike, veçanërisht brenda Zonës Historike të Prizrenit.
EC Ma Ndryshe po ashtu konsideron se rastet e ngjashme duhet të trajtohen përmes dialogut ndërmjet institucioneve, artistëve dhe komunitetit. Sipas organizatës, promovimi i ideve dhe kauzave të reja nuk duhet të bëhet në dëm të veprave ekzistuese dhe integritetit të tyre artistik.
Organizata ka bërë thirrje për një qasje më të kujdesshme dhe gjithëpërfshirëse në menaxhimin e artit publik, me qëllim të ruajtjes së vlerave kulturore dhe respektimit të autorësisë së veprave. /Kosova.info/
