Murseli: Sulmi ndaj ekipit të RTV Dukagjinit është sulm ndaj fjalës së lirë
Asamblisti i LDK-së në Gjilan, Gentrit Murseli, ka reaguar pasi, sipas tij, ekipi i RTV Dukagjinit u sulmua gjatë realizimit të një interviste të planifikuar për punimet në qytet.
“Kjo nuk ka ndodhur kurrë në Gjilan dhe nuk guxon të përsëritet. Sot ishte planifikuar të jap një intervistë për RTV Dukagjinin lidhur me punimet në qytet, por intervista u pamundësua pasi ekipi i gazetarëve u sulmua nga zyrtarë në kantierin e ndërtimit pranë ndërtesës së Administratës”, ka shkruar Murseli.
Ai ka thënë se rasti nuk është vetëm sulm ndaj gazetarëve, por edhe ndaj lirisë së shprehjes dhe informimit.
“Ky nuk është vetëm sulm ndaj gazetarëve. Ky është sulm ndaj fjalës së lirë, ndaj të drejtës për t’u informuar dhe për të thënë të vërtetën. Përballë rasteve të tilla duhet të jemi bashkë, pa dallime partiake”, ka deklaruar Murseli. /Kosova.info/
