“E pash që po më rridhte gjak”, ish-pjesëtari i Njësisë Speciale thotë se ishte lënduar në protesën e 2015-ës

Në seancën e së premtes, në gjykimin ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për protestën e vitit 2015, dëshmitari Sami Hoti, i cili pretendon të jetë i dëmtuar nga ngjarjet, tregoi se kishte pësuar lëndime gjatë protestës.

“Vura re se isha lënduar dhe gjaku po më rridhte,” deklaroi Hoti, i cili në atë kohë ishte pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Prishtinë.

Në këtë rast, të akuzuarit Ylli Hoxha, Premton Iberdemaj, Uran Hasan, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se, në dhjetor të 2015-ës, gjatë një proteste, kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dy policëve dhe kishin dëmtuar pronat e disa institucioneve, me një dëm prej 20 mijë eurosh.

Hoti, tani pjesë e Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, tha se atë natë kishte identifikuar Hoxhën dhe Iberdemajn si pjesëmarrës të protestës. Sipas tij, Hoxhën e kishte njohur pas arrestimit dhe paraqitjes në media, ndërsa Iberdemajn e kishte identifikuar nga stili unik i flokëve dhe fizionomia.

“Në momentin kur u lëndova, edhe Premtoni po hidhte mjete të forta, dhe ishte aktiv kur u shkatërruan pronat publike e lënduan zyrtarët policorë,” deklaroi Hoti.

Dëshmitari tregoi se protestuesit kishin ndezur kontejnerët e mbeturinave dhe i kishin shtyrë në drejtim të policisë.

Seanca e ndërpreu për shkak të mungesës së dy avokatëve të të akuzuarve. Mbrojtësi i Kaqorrajt, avokati Gazmend Lokaj, dhe avokati i Iberdemajt, Labinot Vataj, kishin kërkuar leje për të munguar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë të përpiluar më 24 dhjetor 2015, të akuzuarit kishin hedhur gurë dhe objekte të forta ndaj policisë, të cilët po ruanin rendin publik dhe parandalonin rrezikun ndaj qytetarëve. Të akuzuarit po ashtu kishin ndezur kontejnerë dhe kishin hedhur koktej molotovi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në automjete dhe ndërtesa të institucioneve të ndryshme.

Prokuroria i akuzon për veprën penale të “Pjesëmarrjes në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm,” e cila dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, sipas nenit 412, paragrafi 1, të Kodit Penal.

Go to TOP