Kryeqyteti nderon grupin “Marigona” për kontributin e jashtëzakonshëm në muzikën dhe kulturën e Kosovës
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka pritur sot anëtarët e grupit “Marigona”, të cilëve u ka ndarë një mirënjohje për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhe shumëvjeçar në zhvillimin e muzikës dhe kulturës së Kosovës.
Në prag të koncertit të tyre të fundit, kjo mirënjohje vlerëson trashëgiminë artistike që grupi “Marigona” ka krijuar ndër vite, si dhe ndikimin e rëndësishëm që ka pasur në jetën kulturore të vendit.
Me këtë rast, Përparim Rama theksoi se muzika është një nga vlerat që bashkon breza dhe lë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e një qyteti, ndërsa shprehu mirënjohjen për rolin që grupi “Marigona” ka luajtur në pasurimin e skenës muzikore dhe kulturore të Kosovës. /Kosova.info/
