Dita Botërore e Refugjatëve, Rexhepi: Kosova e përkushtuar për ndihmë

Është shënuar Dita Botërore e Refugjatëve në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës nën organizimin e UNHCR-së.

Zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi ka thënë se historia jonë na rikujton rëndësinë e përkrahjes dhe solidaritetit me ata që janë të detyruar të ikin nga lufta dhe pasiguria për jetët e tyre.

“Për këtë arsye Kosova është e përkushtuar në ofrimin e ndihmës ndaj refugjatëve dhe azilkërkuesve dhe besojmë se  çdo person meriton të gëzojë të drejtën e tij në siguri, mbrojtje dhe mundësi për jetën e tij dhe për një të ardhme më të mirë”, ka theksuar ndër të tjera Rexhepi.

Ndërkaq, shefi i UNHCR-së, Arjun Shresthra, tha se kjo ditë po shënohet në kohën kur imazhet e luftës dhe vuajtjet e njerëzve janë duke ndodhur çdo ditë po thuajse në mbarë botën.

“Në këtë ditë të rëndësishme e dimë se më shumë se 120 milionë refugjatë janë detyruar të ikin nga shtëpitë dhe vendet e tyre. Në vitin e fundit janë ndezur konflikte të reja, kurse ato të vjetrat kanë mbetur të pazgjidhura. Askush nuk largohet nga shtëpitë e veta me dëshirë, por si rrjedhojë e luftës”, ka theksuar ai.

Go to TOP