Distria Krasniqi shpreson se do të kthehen në Kosovë me pesë medalje

Distria Krasniqi arriti sot ta fitojë Medaljen e Artë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” ku në finale e mundi japonezen Funi Tanoko.

Ajo foli për vështirësitë që ka pasur për të arritur këtë sukses historik.

“Ka qenë e vështirë, por rrugëtimi deri këtu ka qenë akoma më i vështirë. Gjatë këtyre viteve gjithmonë e kam pas një cak, pavarësisht se çka kam bërë në garat tjera gjithmonë e kam pas cak që në Olimpiadë me qenë mirë edhe me marrë medalje dhe këtë e arrita së bashku me ndihmën e trajnerit”, ka deklaruar ajo gjatë udhëtimit me autobus për në Fshatin Olimpik në një video që është postuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Fituesja olimpike u shpreh shumë optimiste se medalja e saj e artë nuk do të jetë e vetmja me të cilin ekipi olimpik i Kosovës do të kthehet.

“Duke e parë potencialin e të gjithëve kisha thanë pesë medalje, por Olimpiada është Olimpiadë. Shpresoj shumë edhe po besoj që nuk do të kthehem vetëm unë me medalje”.

Por, ku do ta ruajë ajo Medaljen e Artë të Lojërave Olimpike?

“Medaljen do të ruaj në dhomën time ku e kam koleksionin e medaljeve. Normal këtë medalje do të ruaj në një vend të veçantë”.

Go to TOP