DhTIK: Taksa e SHBA-ve ndaj Kosovës, do ta rëndoj edhe më shumë ekonominë tonë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka pritur me shqetësim vendimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të vendosur një tarifë prej 10% ndaj eksporteve nga Kosova.

Ky vendim pritet të ndikojë negativisht në ekonominë e vendit, duke goditur veçanërisht sektorin eksportues, i cili tashmë ka shënuar rënie gjatë muajve të fundit. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksportet drejt SHBA-ve kanë pësuar një rënie të konsiderueshme, nga 3.5% në dhjetor 2024, në 2.8% në janar dhe 2.5% në shkurt 2025.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me këtë çështje dhe ka kërkuar nga institucionet që të përdorin të gjitha kanalet diplomatike për të shmangur një vendim të tillë.

Në këtë situatë, DhTIK i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hapa konkretë për të ndihmuar bizneset e prekura nga kjo tarifë dhe të angazhohet për gjetjen e një zgjidhjeje në bashkëpunim me autoritetet amerikane. /Kosova.info/


Go to TOP