DhTIK dorëzon padi kundër ZRrE-së për vendimin e liberalizimit të tregut

Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) ka ndërmarrë hapin e radhës në mbrojtje të interesave të bizneseve anëtare dhe sektorit privat në tërësi duke dorëzuar sot zyrtarisht një padi kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në njoftimin zyrtar, DhTIK thekson se vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë është marrë në mënyrë të njëanshme, pa konsultime paraprake me palët e interesit dhe pa një analizë të thelluar të tregut duke sjellë pasoja të rënda për qëndrueshmërinë financiare të bizneseve dhe sigurinë e vendeve të punës në vend.

“Besojmë fuqishëm se ky vendim është i nxituar, arbitrar dhe i papërgatitur mirë. Ai rrezikon të kthehet në një monopol të fshehur, pasi aktualisht është vetëm një kompani – KESCO – që ofron furnizim për bizneset duke e zhveshur nga kuptimi i tij i plotë procesin e liberalizimit,” thuhet në reagimin e Dhomës.

Dhoma i bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërhyjnë menjëherë për pezullimin e këtij vendimi duke kërkuar nga ZRRE që të rikthehet në një proces të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës.

“DhTIK mbetet e përkushtuar për të mbrojtur interesin e bizneseve dhe do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, politike dhe publike për të siguruar një treg të energjisë të drejtë, të rregullt dhe të hapur për të gjithë,” përfundon deklarata. /Kosova.info/


Go to TOP