DhTIK dhe UKZ nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Me synim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe promovimin e projekteve të përbashkëta në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Universitetin Publik “Kadri Zeka” (UKZ).
Memorandumi është nënshkruar nga Drejtori Ekzekutiv i DhTIK-së, Kushtrim Ahmeti, dhe Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku.
Sipas njoftimit, ky bashkëpunim synon ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe strategjik ndërmjet sektorit akademik dhe atij privat, duke krijuar hapësira për zhvillimin e ideve, projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta.
“Përmes këtij memorandumi parashihet avancimi i inovacionit, zhvillimi i kapitalit njerëzor, si dhe krijimi i mundësive konkrete për studentët dhe stafin akademik. Bashkëpunimi do të përfshijë realizimin e projekteve të përbashkëta, ofrimin e praktikave profesionale për studentët, organizimin e konferencave, seminareve dhe aktiviteteve të ndryshme akademike, si dhe zhvillimin e kërkimit shkencor dhe publikimeve të përbashkëta”, theksohet në njoftim.
Gjithashtu, marrëveshja parasheh shkëmbimin e përvojave në fushën e menaxhimit institucional. Në këtë kuadër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës do të luajë rol kyç në lidhjen e universitetit me sektorin privat dhe tregun e punës, ndërsa Universiteti “Kadri Zeka” do të kontribuojë me kapacitetet e tij akademike dhe potencialin studentor për realizimin e iniciativave të përbashkëta.
Me këtë rast, Kryetari i Bordit të DhTIK-së, Skender Krasniqi, i ndau Rektorit Dërmaku një mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj institucionit.
Gjatë vizitës në ambientet e universitetit, përfaqësuesit e Dhomës patën mundësinë të vizitojnë edhe Laboratorin STEM dhe Laboratorin e Shkencave Sociale, ku u njohën nga afër me infrastrukturën dhe kapacitetet bashkëkohore që UKZ ofron për studentët dhe stafin akademik.
