Dhoma e Tregtisë e Industrisë i fton bizneset në protestë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë mbështetë protestën e thirrur për datën 5 prill për të kundërshtuar rritjen e paralajmëruar të çmimit të energjisë.

Thonë se kanë ngritur alarmin që nga ditët e para kur është përmendur rritja e çmimit të energjisë, duke u kërkuar institucioneve që të veprojnë për ta parandaluar një veprim të tillë.

“Bizneset dhe qytetarët nuk duhet të dënohen për shkak të dështimit të institucioneve që të sjellin investime në prodhim të energjisë apo shkaku i dështimit të mirëmbajtjes më kohë të stabilimenteve energjetike”, thuhet tutje në komuikatën e kësaj Dhome.

 DhTIK rithekson se rritja e paralajmëruar e çmimit të energjisë do të ketë ndikim negativ zinxhirë. “Pra do të ulë të hyrat e biznesit e për pasoj do ulen edhe të hyrat e buxhetit, do rrezikohen vendet e punës, si dhe bizneset pa dashjen e tyre, do të detyrohen të rrisin çmimin e produkteve, duke u vënë në situatë të vështirë karshi konkurrencës nga jashtë”, thotë DhIK-u.

Thonë se në takimet që kanë pasur me bizneset anëtare, shumë prej tyre kanë shpalosur planet për të investuar apo rritur kapacitetin e prodhimit të energjisë nga era dhe dielli, por se këtë po e pamundësojnë ligjet dhe rregulloret e ZRRE-së.

“Një pengesë e madhe është bërë edhe Ligji për Pronën Publike, i cili ka pamundësuar rritjen e investimeve në  prodhim të energjisë dhe sjelljes së investimeve të huaja.  Ne po ashtu jemi kundër propozimit të Ministrisë së Ekonomisë për shtimin e numrit të brezave (blloqeve) të konsumit për mbi 800 kËh”, thotë Dhoma e Tregtisë, derisa kanë ftuar bizneset që t’i bashkohen protestës.

DhTIK ka thënë se është duke shqyrtuar edhe ndërmarrjen e masave tjera për të kundërshtuar si rritjen e çmimit të energjisë, ashtu edhe planin e ZRRE-së për liberalizimin e tregut. /Kosova.info/


Go to TOP