Dështon miratimi i rendit të ditës në mbledhjen e parë të KPK-së me përbërje të re, përplasje mes anëtarëve për certifikimin e Elza Bajramit
Për rreth dy orë me radhë, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) kanë diskutuar rendin e ditës në mbledhjen e sotme, e cila ishte e para me përbërjen e re të këshillit. Megjithatë, pas debateve të gjata dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike, rendi i ditës nuk u miratua duke bërë që mbledhja të përfundojë pa asnjë vendim konkret.
Mbledhja u drejtua nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, në mungesë të kryesuesit të zgjedhur. Qalaj e cilësoi takimin si konstituiv dhe funksionalizues duke theksuar se rendi i ditës ishte ndërtuar për të garantuar ligjshmëri, stabilitet institucional dhe siguri juridike.
Por kjo qasje u kundërshtua nga anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, i cili tha se në mbledhjen e sotme duhej të ishte përfshirë si pikë e rendit të ditës certifikimi i kandidates për anëtare të këshillit, Elza Bajrami, fituese e zgjedhjeve të mbajtura më 1 nëntor 2025.
Krasniqi akuzoi disa nga anëtarët se po ndjekin të njëjtën mendësi si përbërja paraprake e KPK-së duke theksuar se ai, së bashku me anëtarët Arian Gashi dhe Dardan Foniqi, kishte kërkuar zyrtarisht që certifikimi i Bajramit dhe miratimi i rregullores për zgjedhjen e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të ishin pikat kryesore të rendit të ditës.
Ai gjithashtu akuzoi Qalajn për shkelje procedurale duke thënë se takimi duhej të ishte thirrur si mbledhje e jashtëzakonshme dhe jo të quhej “mbledhja e parë”, pasi, sipas tij, KPK-ja ka pasur vazhdimësi funksionale edhe pas ndryshimit të përbërjes.
Në anën tjetër, Qalaj deklaroi se renditja e pikave të rendit të ditës nuk është çështje preference personale, por procedurale duke theksuar se çështja e certifikimit nuk lidhet me funksionalizimin fillestar të këshillit dhe se ajo është objekt rrethanash procedurale dhe gjyqësore aktive.
Debati u ashpërsua edhe më tej pasi anëtari Arian Gashi deklaroi se nuk ishte pajisur me asnjë opinion ligjor, për të cilin kishte folur Qalaj duke kërkuar transparencë mbi autorin dhe përmbajtjen e këtij opinioni, si dhe mënyrën se si ishte siguruar ai.
Kërkesën për përfshirjen e certifikimit të Elza Bajramit e mbështeti edhe anëtari Dardan Foniqi, i cili shprehu keqardhje për, siç e quajti ai, protagonizmin e takimit dhe theksoi se kërkesa e tre anëtarëve kishte karakter detyrues.
Pas diskutimeve, Qalaj vendosi që propozimi për certifikimin e Elza Bajramit të përfshihej në rendin e ditës si pikë e tretë, vetëm për diskutim dhe procedim duke theksuar se kjo nuk nënkuptonte pajtim institucional për përmbajtjen juridike të propozimit.
Megjithatë, edhe kjo nuk i qetësoi tensionet. Visar Krasniqi kundërshtoi mënyrën e procedimit duke e akuzuar Qalajn për abuzim me pozitën e kryesuesit dhe për bllokim të qëllimshëm të punës së këshillit.
Në fund, rendi i ditës u hodh në votim, por nuk arriti të marrë shumicën e nevojshme ligjore. Si pasojë, Qalaj njoftoi për përfundimin e menjëhershëm të mbledhjes duke theksuar se pa miratim të rendit të ditës nuk mund të ketë diskutime të mëtejshme.
Në rendin e ditës së propozuar për këtë mbledhje ishte paraparë shqyrtimi dhe miratimi i rregullores për zgjedhjen e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të KPK-së, si dhe shpallja e thirrjes publike për kandidatura për këto pozita, në përputhje me ndryshimet e fundit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. /Kosova.info/
