AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga Polonia pas konfirmimit të gripit të shpendëve H5N1

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), bazuar në raportet zyrtare të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian të datës 11.01.2026, njofton opinionin publik se në Republikën e Polonisë është konfirmuar prania e Avian Influenza me patogjenitet të lartë (HPAI – H5N1).

Sipas këtyre raporteve, sëmundja është evidentuar në ferma komerciale, ferma familjare, si dhe te shpezët e egra në disa regjione të Polonisë, përkatësisht në Lubuskie, Wielkopolskie, Kodzkie dhe Podlaskie.

Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe garantimit të sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës, AUV ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të importit të shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga zonat e prekura. Përjashtim nga kjo masë bëjnë vetëm produktet që kanë origjinë nga ferma të paprekura nga sëmundja, të cilat ndodhen në një rreze prej së paku 50 kilometrash larg zonave të konfirmuara si të prekura.

Kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në një vlerësim të mëtejshëm të situatës epidemiologjike nga autoritetet kompetente.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thekson se do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm dhe të kujdesshëm të situatës, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual ose masë shtesë që mund të ndërmerret. /Kosova.info/


Go to TOP