Deputetja e LDK-së: 42 mijë kosovarë e braktisën vendin si pasojë e keqqeverisjes së Kurtit

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ndaj Qeverisë Kurti, sot kur janë bërë 7 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim – Asocimit (MSA).

Përmes një postimi në “Facebook”, Krasniqi është shprehur se kjo marrëveshje dhe marrëveshje të tjera të rëndësishme janë arritur gjatë qeverisjes së LDK-së.

Ndërsa, tani në Qeverinë Kurti sipas saj po ndodh e kundërta dhe ka përmendur disa raste që sipas saj Qeveria ka shënuar regres, ndër to edhe ikjen e 42 mijë qytetarëve.

“Fatkeqësia më e madhe është se implementimi i saj nuk po bëhet nga Qeveria Kurti, e cila nuk ka bërë asgjë të mirë për vendin. Kosova ka shënuar regres me këtë qeveri në shumë fusha. Stagnim të plotë në diplomaci, asnjë njohje të re e anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Zero transparencë në dialogun me Serbinë. Vetëm vitin e kaluar mbi 42 mijë qytetarë e braktisen vendin si pasojë e keqqeverisjes Kurti.”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

Tutje, Krasniqi këtë Qeveri e ka quajtur Qeveri e kurthit, mashtrimit dhe dështimit.

Go to TOP