Dëmet e pakompensuara për punëtorët e lënduar te bizneset e paregjistruara

Burimi: Kallxo, Berzat Berzati

R.Latifi qe 22 vjet punon në sektorin e ndërtimtarisë. Ai dhe dy djemtë e tij punojnë në një kompani të ndërtimit e cila është një biznes familjar i paregjistruar dhe me disa punëtorë të përkohshëm. Por edhe përkundër punës së gjatë, ai nuk ka të grumbulluar fond pensional. Kjo si pasojë e punës si punëtor i paregjistruar.

“Në të njëjtën mënyrë ka punuar edhe babai im para luftës dhe se nëse regjistron një kompani nuk të del asgjë nga shteti, vetëm humbet, dhe çdo gjë është e komplikuar” – ka treguar ai.

Gjetja e punëve përmes të njohurve, takimeve nëpër çajtore apo kërkesave të njerëzve për shërbime më të lira të ndërtimit, janë disa prej mënyrave përmes të cilave Latifi siguron bukën për familjen e tij.

Mosregjistrimi i punëtorëve ai thotë se vjen edhe si pasojë që ka shumë punëtorë të përkohshëm dhe nuk ia vlen që të njëjtit të regjistrohen dhe t’iu paguhen kontributet.

Puna nëpër këto ‘biznese familjare’ në sektorin e ndërtimtarisë përpos pasojës së mospagesës së kontributeve pensionale, ka edhe rrezikun e lëndimit në vendin e punës, dëmshpërblimin jo të paguar, mosrespektimin e kushteve të punës apo edhe të drejtave të punëtorëve.

Lëndimi i pakompensuar

“Kur u lëndova, shefi im më tërhoqi menjëherë vëmendjen për t’i thënë spitalit se rashë në shtëpi dhe theva krahun. Shefi tha se do të më paguante shpenzimet mjekësore, jo vetëm që nuk mora para për shpenzimet, por nuk mora as mëditjen që fitoja para lëndimin” – rrëfeu H.Arifi, i cili ka rënë nga skela dhe ka thyer krahun në vendin e punës. 

Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës, në vitin 2021, janë regjistruar 188 lëndime në vendin e punës, prej tyre 139 me lëndime të lehta, 40 me lëndime të rënda dhe 9 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet. 

Arifi është një prej punëtorëve që punojnë në biznese të vogla që merren me punë të ndërtimtarisë por që nuk janë të regjistruara. Ai ka rrëfyer se mangësia e të qenit punëtor në një kompani të paregjistruar është se nuk kanë kujt t’i ankohen.

Pikërisht punëtorët apo grupet e vogla të punëtorëve që punojnë të paregjistruara dhe marrin përsipër punët e objekteve më të vogla e që paguhen kryesisht me para në dorë, po konsiderohen problem nga D.Hasani, pjesë e një kompanie ndërtimi në Prizren.

“Ata nuk kanë asnjë sigurim, as nuk paguajnë taksa ndaj shtetit dhe nëse ka ndonjë problem, nuk keni asnjë garanci. Ata punëtorë nuk kanë të drejta as nëse lëndohen, as nëse pronari i ndërtesës nuk i paguan” – ka deklaruar ai.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2021 industria e ndërtimit ka pasur 3,838 kompani të regjistruara në Kosovë.

Kundrejt bizneseve për mosrespektim të të drejtave të punëtorëve, Inspektorati i Punës në vitin 2021 janë lëshuar 2,872 vërejtje, 176 pezullime nga puna dhe 181 gjoba. Derisa ndaj vendimeve të shkallës së parë janë paraqitur 1,633 ankesa për shkelje të të drejtave të punës në shkallën e dytë.

H.Arifi, i cili ka thyer dorën në vendin e punës ka treguar se raportimi i punëdhënsit për shkelje të të drejtave të punëtorëve është po ashtu problem. Kjo për shkak se punëdhënësit e tjerë në sektor e marrin vesh dhe është problem për ta të punësohen më.

“Ai vazhdon duke thënë se nëse raporton një shef, ke një reputacion të keq dhe punëdhënësit do ta shmangin atë” – ka shtuar më tej Arifi.

Derisa punëtori R.Latifi ka treguar se gjatë pandemisë edhe shtesat prej 170 euro që u janë ndarë punëtorëve nëpër disa prej këtyre kompanive të paregjistruara u janë marrë ua janë ndalur në paga.

Largimi i punëtorëve nga Kosova

Pagesat e vogla, kushtet jo të mira në vendet e punës, mungesa e kontratave të punës, mospagesa e kontributeve pensionale, janë vetëm disa prej arsyeve që kanë çuar punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë të emigrojnë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2021 43,5% e punonjësve kanë qenë me kontrata të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërsa 56,5% kanë pasur kontrata me afat të caktuar.

D.Hasani nga një kompani ndërtimi në Prizren ka treguar se punëtorët po kanë oferta të shumta për punësim jashtë vendi.

Disa prej vendeve ku ata po shkojnë janë Kroacia, Sllovenia dhe Gjermania.

“Kontratat ofrohen kryesisht nga firma rajonale në Gjermani dhe Evropë, të cilat pretendojnë se kushtet atje janë më të mira. Edhe pse sipas asaj që dimë paguhen si punëtorë gjysmë tëkualifikuar apo të pakualifikuar” – ka thënë Hasani.

Nga ana tjetër, 60-vjeçari Bajram Ramadani, i cili më shumë se gjysmën e jetës e ka kaluar duke punuar në ndërtimtari, ka thënë se ka pasur raste kur nuk është paguar për punën që bën, po kjo nuk e ka dekurajuar që të largohet nga Kosova.

Inxhinieri nga rajoni i Prizrenit, Çemailj Ismaili, ka thënë se pas luftës ‘të gjithë’ filluan punën në ndërtimtari, si ata profesionistë por edhe ata joprofesionistë.

“Është e thjeshtë që njerëzit të shikojnë gjithçka përmes përfitimit ekonomik dhe jo përmes të drejtave të punëtorëve” – shtoi ai.

Ismaili ka fajësuar edhe shtetin që nuk ka investuar në profesionalizimin e punëtorëve të ndërtimit në mënyrë që të njëjtit të qëndrojnë në Kosovë.

“E shihni, punëtorët tanë shkojnë çdo ditë në vendet fqinje dhe në BE” – vazhdoi ai.

Sipas Agjencisë së Statistikave, paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2021 ishte 419 euro, derisa në vitin 2020 ishte 380 euro. Pra, kishte një rritje prej 39 eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto në vitin 2021 ishte 376 euro, krahasuar me vitin 2020 e cila ishte 342 euro. Një rritje totale prej 34 eurosh.

Aktualisht Inspektorati i Punës ka 35 inspektorë. Por sipas inxhinierit Ismaili, ky është numër i pamjaftueshëm. Këshilla e tij është që të rritet numri i inspektorëve që kontrollojnë kantieret e ndërtimit. Ai theksoi se sipas hulumtimit të tij, në pesë vitet e ardhshme, rajoni i Prizrenit do të humbasë 50 për qind të punëtorëve të ndërtimit.

Punëtori i sektorit të ndërtimit, Bajram Ramadani, ka thënë se qe 22 vjet pas luftës asnjëherë nuk është vizituar nga inspektorët derisa ka qenë duke punuar në kantiere të ndryshme ndërtimi.

“Një numër i punëtorëve të paregjistruar punojnë në çdo godinë, është e vetmja mënyrë që investitori të paguajë për të ndërtuar” – ka përfunduar Ramadani.

Në raportin e Institutit “Riinvest” të publikuar së fundi, thuhet se rreth 34 për qind e bizneseve kosovare nuk i deklarojnë shitjet për qëllime tatimore dhe mbi 34 për qind e fshehin fuqinë punëtore.

Nga këto të dhëna, sipas këtij hulumtimi, thuhet buxheti i Kosovës nga evazioni dhe joformaliteti, humb një të tretën e fuqisë së tij.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Europian në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC dhe BIRN Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.

Go to TOP