Deficiti tregtar i Kosovës kalon 4.4 miliardë euro, Dreshaj: Po thellohet varësia nga importet

Kosova po përballet me një rritje të ndjeshme të deficitit tregtar duke thelluar çdo ditë varësinë nga importet. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar–shtator 2025, vendi ka importuar mallra me vlerë mbi 5 miliardë euro.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vlera e importeve është rritur për rreth 500 milionë euro, ndërsa sasia e mallrave të sjella nga jashtë është shtuar me afërsisht 350 milionë kilogramë. Ky disproporcion mes vlerës dhe sasisë, sipas ekspertëve, reflekton kosto më të larta dhe varësi më të theksuar nga tregjet e jashtme.

Në të kundërt, eksportet kanë shënuar rënie. Vetëm 630 milionë euro mallra janë eksportuar gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, krahasuar me 658 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2024 duke regjistruar një ulje prej 30 milionë eurosh.

Si rezultat, deficiti tregtar ka arritur mbi 4.4 miliardë euro deri në fund të shtatorit, nga 3.9 miliardë euro sa ishte në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, paralajmëron se situata është shqetësuese dhe kërkon veprime të menjëhershme. Ai thekson se Kosova ka nevojë për masa konkrete për mbështetjen e prodhimit vendor, nxitjen e eksporteve dhe krijimin e një strategjie afatgjatë për stabilitet e rritje ekonomike.

“Institucionet funksionale mungojnë, Kuvendi nuk ka rol aktiv, reformat fiskale nuk po realizohen dhe vendimet e papërshtatshme të ZRRE-së rëndojnë më tej gjendjen ekonomike të vendit. Nëse nuk ndërmerren veprime urgjente, Kosova rrezikon të zhytet edhe më thellë në varësinë nga importet,” u shpreh Dreshaj. /Kosova.info/


Go to TOP