Deda kritikon vendimin e KQZ-së: Patriotizëm tallava, ndëshkimi do të jetë kolektiv
Ish-deputeti Ilir Deda ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të moscertifikuar Listën Serbe në zgjedhje duke e cilësuar këtë si një shkurtëpamësi politike që do të ketë pasoja për gjithë Kosovën.
Deda tha se kur e gjithë skena politike bashkohet rreth “tallava patriotizmit”, ndëshkimi është kolektiv duke theksuar se përjashtimi i subjektit më të madh politik të një bashkësie të tërë nacionale e bën Kosovën të përgjegjshme për pasojat.
“Shkurtëpamësia e vendimit të sotëm të KQZ rreth përjashtimit të subjektit më të madh politik të një bashkësie të tërë nacionale i bën të gjithë përgjegjës të njëjtë për pozitën në të cilën do të jetë Kosova,” shkroi Deda.
Ai shtoi se nuk ekzistojnë parti politike terroriste, përveç nëse Kosova po shpik një nocion të ri të “luftës kundër terrorizmit”.
“Mungesa absolute e patriotizmit kushtetues e sjell edhe pyetjen – a ka kush e don këtë vend? Ama, pa tallava patriotizëm,” përfundoi Deda. /Kosova.info/
