Abdixhiku me ekipin e LDK-së në Prishtinë: Një qëllim veç, kryeqyteti të ecë përpara
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar takimin e parë të punës me ekipin e kandidatëve për Asamblenë Komunale të Prishtinës. Në këtë takim morën pjesë kryetari aktual i Kryeqytetit, Përparim Rama, dhe 56 kandidatët e LDK-së për zgjedhjet lokale.
Abdixhiku tha se LDK ka një ekip fitues për Prishtinën, me ide të reja dhe përkushtim të njëjtë duke theksuar se synimi i vetëm është vazhdimi i rrugëtimit të mbarë të Kryeqytetit.
“Me ekipin fitues të Prishtinës, me Përparimin dhe 56 kandidatët e LDK-së për asamble komunale në takimin e parë të punës. Ide të reja, përkushtim i njëjtë, një qëllim veç, Kryeqyteti të vazhdojë rrugëtimin e mbarë drejt punës e larg popullizmit. Le të fitojmë!”, u shpreh ai.
Takimi u zhvillua në kuadër të përgatitjeve të LDK-së për zgjedhjet e ardhshme, ku partia synon të mbajë drejtimin e Prishtinës dhe të forcojë përfaqësimin e saj në Asamblenë Komunale. /Kosova.info/
