De La Fuente: Nuk ka më të mirë se ne

Pas fitores së ngushtë 1:0 kundër Italisë në ndeshjen e dytë të Grupit B në Euro 2024, trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, shprehu kënaqësinë e tij për rezultatin dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të punës me përulësi dhe fokus.

“Nuk duhet të humbasim kokën. Ndeshjet vendosen në detaje, ishte një ditë kur duhet të kishim shënuar më shumë gola. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë në të njëjtën mënyrë. Nuk ka më të mirë se ne. Me këtë mendim duhet të vazhdojmë të punojmë”, tha De la Fuente pas ndeshjes.

Ai pranoi se ishte një ndeshje e vështirë, por vlerësoi dominimin e ekipit të tij në të gjitha fazat e lojës. “Ishte një ndeshje e vështirë. Ne dominuam në të gjitha fazat e lojës. Patëm shumë mundësi dhe rezultati është shumë i ngushtë”, komentoi tutje ai.

Trajneri spanjoll theksoi rëndësinë e përulësisë dhe përgatitjes për ndeshjet e ardhshme. “Çdo ndeshje është e ndryshme. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë me këtë përulësi, duke e ditur se ka ende vend për përmirësim. Ndeshjet e ardhshme do të kërkojnë më shumë nga ne dhe lojtarët mund ta bëjnë këtë”, përfundoi De la Fuente

Me këtë fitore, Spanja siguroi kalimin në 1/8 e finales në Euro 2024, duke treguar edhe një herë forcën dhe potencialin e ekipit, teksa në ndeshjen e fundit në grup luan me Shqipërinë. Për kuqezinjtë kryen punë vetëm fitorja në këtë takim për kualifikim tutje, por për t’u realizuar është tejet e vështirë duke pasur parasysh paraqitjen e spanjollëve në dy ndeshjet e para.

Go to TOP