Dëshmitarët e Speciales, Musa: Letra e dëshmitarit nuk bën pjesë në prova

Ata që udhëhoqën luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për më shumë se tri vite ndodhen në paraburgim nën akuzën për krime lufte.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, po kërkon që një hetues i pavarur të hetojë një letër të dëshmitarit të 29-të që raportohet se ka shkuar në adresë të Speciales, nga dëshmitari që vitin e kaluar nuk kishte pranuar të dëshmonte.

Nuk dihet saktësisht se çfarë përmban letra nga ky dëshmitar, madje raportohet se as mbrojtja nuk e ka parë dokumentin pa redaktime.

Avokati i licencuar në Speciale, Skënder Musa, tha se me vetë faktin që dëshmitari nuk ka dëshmuar por vetëm ka dorëzuar një letër si e tillë nuk bënë pjesë në prova.

“Me vetë faktin që dëshmitari nuk ka dëshmuar por vetëm ka dorëzuar një letër, që së pari duhet të bëhet një lloj ekspertize dhe një lloj hetimi i pavarur, se a bëhet fjalë për ndonjë provë apo është një letër e cila mund të shkruhet nga ndonjë organ i hetimeve në Republikën e Serbisë apo nga qasjet e ndryshme në Kosovë, dhe si e tillë nuk bënë pjesë në prova”, tha Musa për RTK.

Ai shtoi se në praktikën e të Drejtës Ndërkombëtare Penale nuk njihet dorëzimi i një shkrese apo i një letre e e njëjta të pranohet nga një Gjykatë e pavarur, objektive dhe profesionale ashtu siç ka vepruar Gjykata Speciale në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Musa tha se dëshmitari ka bërë shkelje ligjore dhe se Prokurori Special është dashur të kërkojë nga Gjykata burgosjen e tij deri në fazën që ai do të dëshmonte apo deri në fund të dënimit që parashihet për njerëzit mendohet që kanë informacione, dhe që kanë dhënë dëshmi në të kaluarën para Prokurorit ose policisë e refuzon dhënien e dëshmisë para trupit gjykues.

Sipas avokatit, prokurorët profesional nëse nuk kanë dëshmi me prova nuk veprojnë në drejtim të akuzës.

Go to TOP