Daçiq dyshon në ekzistimin e Marrëveshjes së Brukselit

Duhet të hiqen maskat për të parë nëse ekziston Marrëveshja e Brukselit, zbatimi i së cilës është përgjegjësi e Brukselit, tha ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

“Të shohim nëse pas nëntë vjetësh nga refuzimi i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse ndokush po mendon për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit sepse për këtë arsye e kemi nënshkruar atë”, tha Daçiq për Radio Televizionin e Serbisë.

Daçiq tha se Serbia po lufton që ta mbrojë Marrëveshjen e Brukselit dhe “do të bëjë gjithçka për ta ruajtur paqen”.

Marrëveshja e Brukselit, që Kosova dhe Serbia arritën më 2013 si pjesë e dialogut për normalizimin e raporteve, hapi rrugën për integrimin e serbëve në veri në institucionet e Kosovës, sikurse në strukturat e policisë dhe drejtësisë.

Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

Largimet nga institucionet e Kosovës vijnë pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.

Duke folur për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, kryediplomati serb tha se ky ishte një vendim “historik” dhe një formë e rezistencës popullore ndaj shmangies së Kosovës për formimin e Asociacionit.

“I them edhe BE-së se po ashtu është obligim i saj formimi i Asociacionit, jo vetëm i [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit. Chatherine Ashton e ka nënshkruar, nëse kjo nuk është e vërtetë, atëherë edhe unë qenkam mashtruar”, tha Daçiq.

Daçiq po ashtu kujtoi se në Kosovë është misioni i NATO-s, KFOR, dhe se është e rëndësishme që të respektohet rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

KFOR është një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë, ndërkaq EULEX është mision i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit.

“Ose të sillen në pajtim me rezolutën 1244 për të garantuar paqe dhe siguri, ose të tregojnë qartazi se nuk janë të interesuar për këtë sepse hapur janë në anën e Prishtinës”, tha Daçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 6 nëntor deklaroi se shpreson që Shtetet e Bashkuara të vendosë që KFOR-i dhe policia e EULEX-it të dërgohen në veri të Kosovës për të kryer punën e policisë, pas largimit të serbëve nga institucionet.

“Mendoj se kjo mund t’i kontribuojë paqes”, tha Vuçiq.

Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për riregjistrimin për targat.

Go to TOP