Cucurella i lumtur që puna e tij po shpërblehet

Mbrojtësi i Chelseas dhe i Kombëtares së Spanjës, Marc Cucurella, ka thënë se ndihet i lumtur që po shpërblehet për punën e tij të palodhur dhe në heshtje.

Ai ka qenë një element kyç për Spanjën gjatë Euro 2024, duke treguar paraqitje të mira. Pas një transferimi prej 62 milionë funte nga Brighton & Hove Albion te Chelsea dy vjet më parë, Cucurella qe përballur me vështirësi në fillim të karrierës së tij në “Stamford Bridge”. Megjithatë, pas një sezoni të parë të vështirë, ai kishte arritur të tregojë përmirësime të mëdha në lojën e tij, duke fituar besimin e trajnerit Luis de la Fuente për të përfaqësuar Spanjën në Euro 2024.

Trajneri de la Fuente e përzgjodhi Cucurella përpara Alejandro Grimaldo, një vendim që habiti shumëkënd.

“Kjo që po ndodh është fryt i shumë viteve të punës në heshtje. Askush nuk më ka dhënë asgjë, kështu që jam shumë i lumtur tani”, ka thënë Cucurella. “E dija që nëse do të punoja shumë dhe do të jepja më të mirën time, kjo mund të ndodhte. Është një ëndërr të jesh këtu dhe shumë njerëz do të jepnin gjithçka që kanë për të qenë këtu ku unë jam”.

Go to TOP