Çitaku i përgjigjet Kurtit: Në vend të llogaridhënies për korrupsionin dhe dëmet ekonomike, sulmon opozitën
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Kryeministrit Albin Kurti, i cili, sipas saj, në vend që të japë llogari për dështimet e qeverisjes, vazhdon të sulmojë opozitën.
Në një postim publik, Çitaku tha se Kurti po shmanget nga përgjegjësia për dëmtimin e ekonomisë dhe prodhuesve vendorë, si dhe për “aferat e panumërta korruptive” që rëndojnë mbi qeverinë e tij. Ajo përmendi veçanërisht përfshirjen e dyshuar të vëllait të Luan Dalipit në pazare me shitblerjen e energjisë.
Sipas Çitakut, në vend të llogaridhënies, Kurti ka zgjedhur të etiketojë opozitën si “patriarkale dhe të prapambetur” duke hedhur akuza që, sipas saj, bien në kontrast me realitetin.
Ajo kujtoi se PDK ishte partia e parë që propozoi një grua për Presidente të vendit – Flora Brovinën – dhe ka mbështetur vazhdimisht gratë në pozita të larta politike e publike. Çitaku sqaroi gjithashtu që PDK-ja ka qenë e qartë në qëndrimin e saj për të mos votuar asnjë ministër të Qeverisë Kurti 2. Ajo i bëri thirrje Kurtit që, përveç kandidates së propozuar, të gjejë ndonjë emër tjetër brenda grupit të tij parlamentar, ku ka mbi 40 deputetë, përfshirë shumë gra.
“Ndërkohë, historia e LVV-së me gratë në institucione është krejt tjetër,” shkroi Çitaku duke përmendur rastet e Valdete Dakës, Vlora Hysenit dhe Gresa Cakës, për të cilat tha se janë sulmuar dhe shkarkuar nga pushteti i Vetëvendosjes.
“Kjo është e vërteta. Jo propaganda,” përfundoi ajo. /Kosova.info/
