Çitaku: Hashim Thaçi është gjithçka që duam të jemi, por nuk jemi dot

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë një deklaratë të fuqishme në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi duke e quajtur atë figurë të papërsëritshme në historinë e Kosovës.

Ajo kujtoi takimin e saj të parë me Thaçin në vjeshtën e vitit 1998, kur ai u prezantua jo si komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por si lider politik i saj. Sipas saj, Thaçi ka qenë gjithmonë njeriu që e afroi UÇK-në me Perëndimin duke hapur rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit.

“Hashim Thaçi është gjithçka që duam të jemi, por nuk jemi dot. Sepse fatin e tij e ka shkruar vetë, pa frikë, pa kalkulime, vetëm me guxim dhe dashuri të madhe për këtë vend. Hashim Thaçi është i papërsëritshëm,” theksoi Çitaku.

Deklarata e saj vjen në një kohë kur debati për rolin dhe figurën e Thaçit në historinë e Kosovës ka marrë sërish vëmendje publike. /Kosova.info/


Go to TOP