Kastrati: Kamenicën do ta shndërrojmë në destinacion turistik

Kandidati për kryetar të Kamenicës, nga radhët e PSD-së, Qëndron Kastrati, shpalosi planin e tij katërvjeçar për këtë komunë. Ai tha se në planin e tij katërvjeçar, ka prioritet Kamenicën destinacion.

Kastrati tha se do të angazhohet për fuqizim e mirëqenie të banorëve, në kuadër të planit të tij, ku tha se synojnë që Kamenica të jetë destinacion për 100 mijë turistë. Duke shpalosur planin e tij, ai përmendi fusha të ndryshme si infrastrukturë e shërbime publike, planin e tij për arsimin, çerdhe të reja, pastaj transport publik fshat-qytet, ndriçimi publik, uji i pijshëm e investime në shëndetësi.

“Kamenica duhet me qenë një destinacion ku kanë me ardhë edhe të tjerë dhe ka me pasë sezon gjatë gjithë vitit. Kjo bëhet përmes tri shtyllave që i kemi parapare: nga bashkësia duhet me fillu gjithçka, shtylla e dytë progresi e mirëqenia për secilën gjeneratë dhe shtylla e tretë është destinacioni – turizmi si motor zhvillimi”, deklaroi ai.

Kastrati premtoi edhe mbështetje e grante për bujqit. “Kemi me fuqizu fshatin, do ta bëjmë një grant prej 200 mijë euro për secilin vit për këshillat lokalë, dhe këshillat lokalë do të menaxhojnë me këto fonde,” tha mes tjerash ai.

Gjatë shpalosjes së planprogramit të tij, ai prezantoi edhe kandidatët për Kuvend Komunal.


Go to TOP