Çitaku e quan kryeministër në abstenim Kurtin: Në 100 ditët e fundit, 45 i kaloi jashtë Kosovës

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në një konferencë për media i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të kthehet në Kosovë dhe të përballet me sfidat me të cilat po përballen qytetarët.

Ajo ka thënë se Kurti nuk po qeveris me vendin dhe se po po ik prej përgjegjësisë që i kanë dhënë qytetarët me votën e tyre.

“Gjatë 3 muajve të fundit, kryeministri ka qëndruar 45 ditë jashtë Kosovës, por pa sjellë asnjë sukses apo rezultat të vetëm nga këto vizita të stërzgjatura. Gjysmën e kohës në 100 ditët e fundit, Kurti e ka kaluar jashtë Kosovës. Ai edhe mandatin e ka nis jashtë Kosovës, duke bërë fushatë në Shqipëri”, tha Çitaku.

Çitkau theksoi se Kurti ka zgjedhur që të abstenoj nga qeverisja dhe ballafaqimi me sfidat për qytetarët.

“Në këtë periudhë kohore, qytetarët e braktisur nga Qeveria, me rritje enorme të çmimeve, me energji deri trefish të shtrenjtuar, me inflacion prej mbi 14 për qind, zgjidhjen po e shohin ikjen nga Kosova”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së.

Më tej, ajo ka shtuar se ishin alarmante shifrat e publikuara ditë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ku 42 mijë qytetarë tanë kishin lënë Kosovën vetëm vitin e kaluar. Ndërsa, mijëra të tjerë presin çdo ditë para ambasadave për të caktuar terminet e tyre për vizë pune jashtë Kosovës.

“Qytetarët e kanë votuar Kurtin dhe LVV me 14 shkurt, duke besuar në premtimet e tyre, por inflacion më të madh se çmimet kanë pësuar vetë premtimet e kryeministrit”, tha Çitaku.

Çitaku tha se kjo Qeveri i ka bllokuar të gjitha projektet nëpër komuna, duke mos ndarë buxhet për realizimin e tyre.

Ajo theksoi se Kurti në vend që të ndërmerr hapa dhe vendime duke hequr TVSH-në dhe akcizën, ai po merr vendime arbitrare në ekonomi duke caktuar çmime.

Në fund, Çitaku ka thënë se Qeveria po tregohet tërësisht jotransparente edhe për procesin e dialogut.

“Nga ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian dëgjuam se qenkan gati 4 marrëveshje të reja. Ne kërkojmë të njoftohemi nga Kryeministri në abstenim Kurti, ose nga Kryeministri faktik Bislimi, se cilat janë këto marrëveshje? Për çka bëhet fjalë. Dialogu me Serbinë nuk guxon të degradojë në noterizim të marrëveshjeve teknike paraprake, duke lënë në margjina, e jo në qendër, njohjen reciproke”, ka përfunduar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku. 

Go to TOP