Çeku flet për kandidaturën e tij për kryetar të Prishtinës

Ministri në detyrë i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Hajrulla Çeku, ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.

Në një deklaratë publike, Çeku tha se garimi për këtë post është pjesë e një angazhimi më të gjerë politik dhe strategjik të VV-së. Ai theksoi se politika për të nuk është asnjëherë aktivitet individual, por një punë ekipore ku secili ka rolin dhe përgjegjësinë e vet.

“Unë politikën nuk e shoh as nuk e kam ushtruar më herët si aktivitet individual. Për ta huazuar prej terminologjisë sportive, unë e shoh politikën si punë ekipore. Në atë ekip ka shumë lojtarë dhe një staf teknik drejtues ku merren vendime. Lojtarët luajnë sipas strategjisë më të mirë për të fituar. Kjo është një punë ekipore. Më është kërkuar dhe jemi dakorduar për të luajtur për një pozicion të caktuar. Kjo është pjesë e kësaj beteje të përgjithshme,” deklaroi Çeku.

Lëvizja Vetëvendosje njoftoi një ditë më parë se do të hyjë në garën për kryeqytetin me kandidaturën e Hajrulla Çekut, aktualisht ministër në detyrë, i cili vjen nga një përvojë drejtuese në kulturë dhe trashëgimi, si dhe nga strukturat organizative të VV-së.

Zgjedhjet komunale në të gjitha komunat e Kosovës do të mbahen më 12 tetor 2025. /Kosova.info/


Go to TOP