Cakolli: Pushteti po hesht për rritjen e çmimit të energjisë, ZRrE-ja shndërrohet në një “rregullator të pavarur” për interesat private
Eugen Cakolli nga KDI, ka kritikuar ashpër heshtjen e pushtetit kosovar pas vendimit të Bordit të ZRrE-së për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike duke e cilësuar këtë si një shembull të qasjes tërheqëse të pushtetit ndaj interesave private. Ai tha se nëse do të bëhej fjalë për vendime të gjykatave, si pushtet i ndarë, do të kishte pasur reagime të forta publike, akuza dhe deklarata të ashpra nga zyrtarët e pushtetit, por për këtë rast, të gjithë janë të heshtur.
“Në momentin që vendimi për shtrenjtimin e energjisë merret nga ZRrE-ja – që është i përbërë nga anëtarë të emëruar nga shumica parlamentare – që prek drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve, pushteti mjaftohet me disa ‘komente’. Sepse papritmas ZRrE-ja është bërë ‘rregullator i pavarur’,” tha Cakolli.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e reagimeve politike duke theksuar se nuk ka pasur asnjë qëndrim publik në mbrojtje të interesit qytetar. Sipas Cakollit, ky është një shembull tjetër i qasjes së pushtetit, i cili ka heshtur sa herë që interesi publik është përballur me interesa private.
Në përfundim, Cakolli theksoi se kjo heshtje mund të ketë pasoja të rënda për qeverinë, pasi pakënaqësia qytetare mund të reflektohet në një rënie të përqindjeve në sondazhe dhe një humbje të besimit te pushteti. /Kosova.info/
