Cakolli kritikon mbajtjen e takimeve për formimin e qeverisë në ndërtesën e Qeverisë: Zbeh kufirin mes shtetit dhe partisë
Analisti politik, Eugen Cakolli, ka reaguar ndaj mbajtjes së takimeve konsultative për formimin e qeverisë së re në ndërtesën e Qeverisë, duke e konsideruar këtë praktikë të gabuar dhe të dëmshme për ndarjen e pushtetit nga partia.
“Nuk është në rregull dhe as s’duhet të normalizohet që këto takime të zhvillohen në ambientet e Qeverisë, e aq më pak që për to të lëshojë njoftim Zyra e Kryeministrit. Kjo praktikë zbeh kufirin mes shtetit dhe partisë dhe tregon shumë për mënyrën se si konceptohet pushteti,” ka shkruar Cakolli.
Ai ka theksuar se qeveria aktuale është ende në detyrë dhe se nuk ka mandatim zyrtar për qeverinë e re, ndaj përdorimi i hapësirave shtetërore për qëllime partiake është i papranueshëm. “Një subjekt politik që synon të qeverisë vendin duhet të tregojë standarde më të larta dhe jo të shfrytëzojë hapësirat publike për interesa të veta,” ka shtuar ai.
Sipas Cakollit, takimet për formimin e qeverisë duhet të zhvillohen në selitë e partive ose në ambiente neutrale, dhe jo në zyra publike që i përkasin të gjithë qytetarëve. /Kosova.info/
