Buzhala reagon ndaj thirrjes për bojkotim të produkteve vendore: Albin, përzane këtë takahyk që sot
Gazetari dhe analisti Viktor Buzhala ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të Sekretarit Organizativ të Vetëvendosjes, Alim Rama, i cili sipas tij po bën thirrje për bojkotimin e produkteve kryesore vendore si Birra Peja, qumështi Vita dhe Princ Caffé.
Në një postim të gjatë, Buzhala e ka quajtur këtë një qasje të rrezikshme dhe anti-ekonomike duke theksuar se në vend të mbështetjes për produktet kosovare, qytetarëve po u sugjerohet që të konsumojnë produkte të huaja nga Serbia, Mali i Zi apo Brazili.
“Po lyp që kosovarët mos me pi ma Birrë të Pejës, mos me pi Vita, e mos me pi kafe Princ. E na kena me vazhdu me konsumu birra, ama tash po u dashka me i zevendsu me Nikshicko e Zajecarsko. Viten me Alpsko e kafen prej Brazili,” shkruan Buzhala, duke shtuar se kjo logjikë dëmton punëtorët kosovarë dhe ekonominë vendore.
Ai ironizoi edhe me deklaratat e Ramës për ruajtjen e identitetit kombëtar duke e akuzuar atë për hipokrizi, pasi sipas tij, Rama ka përfituar afro 1.2 milionë euro nga projektet e Kombeve të Bashkuara – një organizatë që ende nuk e njeh zyrtarisht shtetësinë e Kosovës.
Në fund, Buzhala i drejtohet kryeministrit Albin Kurti, duke i kërkuar që ta largojë Ramën nga pozita: “Albin, ti vazhdo pi Birrë Peje, ama të duhet me e përzane një sahat e me përpara këtë takahyk.”
Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, me qytetarë që ndajnë mendime të ndryshme rreth thirrjeve për bojkot dhe mbështetjes së produkteve vendore. /Kosova.info/
