Buzhala kritikon Doarsa Kicën: Mos më shtini në atë kamp, se pasha Zotin dal

Analisti dhe gazetari Berat Buzhala ka reaguar ashpër ndaj nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica, pas komenteve të saj në lidhje me bashkimin e kundërshtarëve të LDK-së. Në një postim të gjatë, Buzhala e akuzoi atë për qëndrime të dyfishta dhe për historikun e saj politik, duke kujtuar përfshirjen e saj në “revolucionin” e Albin Kurtit kundër LDK-së.

Buzhala paralajmëroi opozitën që të mos lejojë përçarje të brendshme në këtë moment kyç për Kosovën. Sipas tij, çdo zyrtar i opozitës që nis të kritikojë partitë opozitare, në vend se të kundërshtojë qeverinë, është një “kal i Trojës i VV-së” brenda partisë së tij.

Duke rikujtuar mbështetjen që i kishte dhënë LDK-së edhe në momentet e saj më të vështira, Buzhala shprehu zhgënjimin për qëndrimet e Kicës, duke e konsideruar të padrejtë pozicionimin e saj ndaj figurave të opozitës.

“Kosova është në udhëkryqin më të madh historik. Shumica shqiptare në Kosovë i votuan partitë opozitare, dikë më pak e dikë më shumë, por mesazhi ishte i qartë: Jo më këtë regjim,” theksoi ai.

Në fund, Buzhala la të kuptohet se nuk do të tolerojë etiketimin e tij si kundërshtar i LDK-së duke e mbyllur mesazhin me një paralajmërim: “Mos më shtini në atë kamp, se pasha Zotin dal. /Kosova.info/


Go to TOP