Haziri: LDK ka rend shtëpie, koha për durim në procesin paszgjedhor

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka theksuar se partia ka një kulturë të qartë politike dhe një strukturë të konsoliduar që garanton stabilitetin e saj. Në një deklaratë publike, Haziri u shpreh se rendi i shtëpisë dhe tradita politike e LDK-së kanë qenë vendimtare për ngritjen e Lumir Abdixhikut në krye të partisë dhe për standardin e ri të organizimit elektoral.

“LDK ka pasur zot shtëpie dhe ka lënë rend shtëpie. Ky rend e solli Lumir Abdixhikun në krye dhe e mban stabilitetin e partisë,” theksoi ai duke vlerësuar parafushatën dhe fushatën e organizuar nga LDK si një shembull për politikën në vend.

Sipas Hazirit, LDK mbetet një faktor kyç në të gjitha proceset politike në Kosovë. “Pa LDK-në as nuk shkaktohen procese dhe as nuk mbyllen procese,” tha ai duke nënvizuar rëndësinë e partisë në negociatat dhe zhvillimet paszgjedhore.

Në këtë fazë të procesit zgjedhor, Haziri apeloi për durim dhe besim në udhëheqjen e Abdixhikut. “LDK respekton vullnetin qytetar dhe në mënyrë të përgjegjshme e pret Kryetarin e saj që të na udhëheqë në pjesën e tretë të zgjedhjeve, atë paszgjedhore,” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP