BQK merr mbështetje nga Departamenti amerikan i Thesarit

Një delegacion i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i kryesuar nga guvernatori Ahmet Ismaili, zhvilloi diskutime konstruktive me zëvendësndihmës Sekretarin (DAS) e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, LuyenTran dhe ekipin e tij të Zyrës se Asistencës Teknike (OTA) në Washington D.C. Diskutimet kishin për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, në ngritjen e kapaciteteve të BQK-së, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Në takimin me Departamentin amerikan të Thesarit, guvernatori Ismaili ka shprehu mirënjohje për ndihmën e çmuar teknike të ofruar nga OTA-ja dhe rolin e tyre kryesor në mbështetjen e zhvillimit të infrastrukturës kritike.

“Kjo përfshinë mbështetjen në zhvillimin e Sistemit Qendror Depozitar të Letrave me Vlerë, krijimin e linjave të likuiditetit si dhe bashkëpunimin e suksesshëm në shumë projekte të tjera për mbikëqyrjen bankare dhe sigurimeve, si dhe në kornizën e luftimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndër të tjera”, njofton BQK.

Gjithashtu, në këtë takim thuhet se është diskutuar edhe për mundësitë e reja të asistencave teknike dhe bashkëpunimit, me qëllim të forcimit të partneritetit me Departamentin e Thesarit të SHBA-së.

Këto angazhime nënvizojnë përkushtimin e BQK-së për të kultivuar partneritet të qëndrueshëm me akterët kryesorë ndërkombëtarë, duke fuqizuar më tej misionin e institucionit për promovimin e stabilitetit financiar dhe zhvillimin të qëndrueshëm të vendit, thuhet në njoftimin e BQK-së. /Kosova.info/

Go to TOP