Blinken: Izraeli gabon nëse e pushton Rafahun e Gazës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të enjten se Izraeli do të gabojë nëse kryen ofensivë të madhe tokësore në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Rafah, dhe se ajo është e panevojshme për ta mposhtur Hamasin – grupin palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Deklarata e Blinkenit tregon se tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit janë duke u rritur.

Blinken, i cili po e viziton Lindjen e Mesme për herë të gjashtë urgjentisht prej se nisi lufta më 7 tetor, u takua me diplomatët e lartë arabë në Kajro për të diskutuar për arritjen e një armëpushimi në Gazë dhe për planet për të ardhmen e enklavës palestineze pas luftës.

Ai tha se “një armëpushim i menjëhershëm dhe i qëndrueshëm” me lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi është tejet i nevojshëm menjëherë.

Blinken theksoi se hendeku është duke u ngushtuar në negociatat indirekte që ShBA-ja, Egjipti dhe Katari janë duke i ndërmjetësuar tash e sa javë.

Ai do të udhëtojë drejt Izraelit të premten për t’u takuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe kabinetin e tij të luftës.

Rritja e mosmarrëveshjeve mes Netanyahut dhe presidentit amerikan, Joe Biden, për mënyrën se si Izraeli po i kryen luftën në Gazë, me gjasë do t’i lënë nën hije këto bisedime – posaçërisht vendosmëria e Netanyahut për ta nisur ofensivën tokësore në Rafah, ku më shumë se një milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta ajrore dhe tokësore e Izraelit në veri të territorit.

Netanyahu pretendon se pa pushtimin e Rafahut, Izraeli nuk mund ta arrijë synimin për shkatërrimin e Hamasit, i cili e kreu sulmin e 7 tetorit dhe mori pengje, gjë që bombardimet dhe ofensivën e Gazës nga Izraeli.

“Një operacion i madh ushtarak në Rafah do të ishte gabim, diçka që ne nuk e mbështesim. Dhe, nuk e nevojshme për t’u marrë me Hamasin”, tha Blinken në një konferencë për media të enjten në Kajro.

Pushtimi i Rafahut do të nënkuptonte vrasjen e më shumë civilëve dhe përkeqësimin e krizës humanitare në Gazë, tha ai.

Gjatë një bisede online me senatorët republikanë të mërkurën, Netanyahu u zotua se do t’i shpërfillë paralajmërimet kundër pushtimit të Rafahut.

Ai nguli këmbë se ofensiva do të kryhet në Rafah, sipas senatorëve që morën pjesë në bisedë.

Senatori John Kennedy tha se Netanyahu “e bëri të qartë se ai dhe populli i Izraelit e ka ndër mend ta zhvillojë luftën me të gjitha forcat e mundshme dhe se ai nuk do të udhëhiqet as nga presidenti Biden e as nga senatori Schumer”.

Lufta e Izraelit në Gazë i ka zhvendosur 80 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë palestinezë nga shtëpitë e tyre. Zyrtarët e OKB-së thonë se një çerek i popullsisë vuan nga uria.

Mbi 32.000 palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite prej se nisi lufta, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk e bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve kur llogarit viktimat.

Pjesëtarët e Hamasit i vranë rreth 1.200 njerëz gjatë një sulmi befasues më 7 tetor në Izrael, si dhe i rrëmbyen 250 të tjerë. Besohet se Hamasi është duke i mbajtur edhe rreth 100 pengje të tjera.

Go to TOP